MPB: Ka rezerva të formularëve për patentë shoferi

Ministria e Punëve të Brendshme ka demantuar pretendimet për mungesë të formularëve për patentë shoferi, duke theksuar se institucioni ka rezerva të mjaftueshme për tre vitet e ardhshme, përcjell TV21. Sipas MPB-së, nuk ka asnjë mungesë dhe procesi i marrjes së patentë shoferit po zhvillohet normalisht.

“Ministria e Punëve të Brendshme i demanton ashpër dezinformatat e publikuara në rrjetet sociale për një mungesë të pretenduar të formularëve për leje drejtimi. Për opinionin publik bëhet e ditur se nuk ka asnjë mungesë, përkundrazi, MPB ka siguruar rezerva që janë të mjaftueshme për tre vitet e ardhshme. Termini për fotografimin e qytetarëve merret brenda vetëm një dite, ndërsa patentë shoferi përgatiten dhe lëshohen brenda disa ditësh, shumë më herët se afati i përcaktuar me ligj. Apelohet që të mos përhapen dezinformata që krijojnë konfuzion te qytetarët”, thonë nga MPB.