Zhernovski: Gjermania konfirmoi se Mickoski është “Orban Junior” – kërkohet hetim për lidhjet financiare me Hungarinë

“Rënia e regjimit autoritar të Viktor Orbanit ka pasoja direkte jo vetëm për rajonin, por edhe për politikanët që ishin nën mbrojtjen e tij”, deklaroi anëtari i Komitetit Ekzekutiv të LSDM-së, Andrej Zhernovski.

Ai tha në konferencë për shtyp se në këtë grup bën pjesë edhe Hristijan Mickoski, të cilin e quajti “Orban Junior”.

Sipas tij, mediat gjermane së fundmi e kanë “zbuluar” Mickoskin si pjesë të asaj që ai e quajti “vëllazëria autoritare e Viktor Orbanit”.

Zhernovski theksoi se bëhet fjalë për një rrjet transnacional që, sipas tij, funksionon nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Orbanit.

Ai shtoi se ky rrjet kontrollon media, rrjedha financiare dhe bizneset, duke u bazuar në kontroll politik dhe ekonomik.

Sipas tij, qytetarët duhet të dinë se Gjermania dhe Evropa e kanë vendosur Mickoskin në të njëjtin grup me Aleksandar Vuçiqin dhe Milorad Dodikun, të cilin ai e quajti “vëllazëri autoritare”.

“Bëhet fjalë për një sistem të korruptuar të kontrollit politik, financiar dhe mediatik, i cili është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat evropiane demokratike, ose, nëse dëshironi, një zgjatim i ndikimit rus në Evropë”, tha Zhernovski.

Ai shtoi se sipas tij, mediat gjermane kanë konfirmuar atë që LSDM e ka thënë prej kohësh, se rënia e Orbanit nënkupton dobësim të ndikimeve autokratike dhe anti-evropiane.

“Është shembur arma kryesore që përdorte Mickoski, pra pretendimi se këto janë vetëm narrativa të LSDM-së. Jo. Ajo që sot Evropa dhe Gjermania e vlerësojnë nuk është më sulm i opozitës vendase, por një diagnozë ndërkombëtare”, tha ai.

Zhernovski vlerësoi se fitorja historike e demokracisë ndaj autoritarizmit në Hungari dhe në Evropë dërgon mesazh për gjithë rajonin.

Sipas tij, nuk bëhet më fjalë për betejë mes pushtetit dhe opozitës, por për betejë mes demokracisë dhe regjimeve autoritare, që do të jetë edhe zgjedhja në zgjedhjet e ardhshme.

LSDM kërkon hetim për të gjitha lidhjet financiare dhe të biznesit mes Orbanit dhe Mickoskit, si dhe i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë të kërkojë kthimin e Nikolla Gruevskit, pas deklarimeve nga kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, se vendi nuk do të jetë më strehë për kriminelë.

“E vërteta del gjithmonë në shesh dhe drejtësia arrin gjithmonë. Është koha që Nikolla Gruevski të kthehet aty ku ka bërë krimin – në Maqedoni”, shtoi ai.(INA)