Të shtëna me armë në orët e mëngjesit në Prishtinë, plagosen dy persona

Të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë, ku për pasojë dy persona janë plagosur me armë zjarri.

Rreth orës 04:00, policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Ahmet Krasniqi”.

Menjëherë pas njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e rastit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se si pasojë e të shtënave dy persona kanë mbetur të plagosur.

“Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa policia është duke punuar për ndriçimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka deklaruar ai.

Aktualisht, hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore për zbardhjen e rastit. /Telegrafi.