Pamjet që po shihni janë para komunës së Tetovës.
Vetura të parkuara në korsinë e dytë, që kanë bllokuar rrugën.
Këto pamje janë të pjesës tjetër të qytetit. Siç mund të shihet, veturat janë të parkuara në korsinë e dytë.
Me probleme të tilla përballen çdo ditë qytetarët e Tetovës.
Kryetari i komunës Bilall Kasami bën apel për më shumë ndërgjegje, por shton se këtë nuk do ta lënë vetëm në ndërgjegjen e qytetarëve, pasi që tashmë është formuar një komision dhe premton se brenda një viti do të trefishohet numri i vendparkimeve në Tetovë.
“Është një punë komplekse për të cilën është angazhuar një komision i veçantë dhe punën e të cilët do ta përcjell personalisht , si rezultat I kësaj në presim që brenda një periudhe një vjeçare ne presim që të kemi trefishimin apo katërfishimin e vend parkimeve në qytetin e Tetovës”, tha Bilall Kasami.
Nga SPB Tetovë thonë se brenda tre muajsh e gjysmë janë shqiptuar rreth 1300 dënime për keqparkim, ndërsa vetura e merimangës ka marrë rreth një mijë automjetet që kanë qenë të parkuara keq.
“Gjatë këtyre tre muajve e gjysmë të vitit 2026, janë shqiptuar diku 1300 gjoba sa i përket keq parkimit, kurse shërbimi komunal i merimangës ka ngritur mbi 1 mijë automjete, për të cilët janë përgatitur parashtresa përkatëse dhe shoferët do të ballafaqohen me gjoba. Sa i përket gjobave, numri më i madh i tyre janë në rend të dyfishtë, në zonë të udhëkryqeve, rrethrrotullimeve, vizëbardha dhe trotuare”, tha Fatmir Rexhepi.
Shtimi i vendparkimeve në Tetovë është premtuar nga shumë kryetarë komunash, por Tetova vazhdon të përballet me këtë problem. Si pasojë, shpesh ndërmerren aksione për largimin veturave të parkuara keq, por kjo e zgjidh përkohësisht shqetësimin, sepse keqparkimet vazhdojnë./TV21



