Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, njoftoi se në seancën e fundit të Qeverisë është miratuar Plani Kombëtar për menaxhimin e ngjalës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë natyrore.
Sipas tij, plani ka për qëllim rikuperimin e popullatës së ngjalës përmes masave konkrete për monitorim dhe menaxhim afatgjatë, në koordinim me vendet e rajonit dhe në përputhje me rregullativën e Bashkimit Evropian.
Hoxha theksoi se ky zhvillim ka një rëndësi të veçantë edhe në aspektin lokal, duke kujtuar lidhjen e fortë të rajonit të Strugës me ekosistemin ujor.
“Për mua si strugan, kjo ka rëndësi të veçantë. Drini i Zi dhe Liqeni i Ohrit janë pjesë e jetës sonë, ndërsa ngjala është pjesë e identitetit të këtij rajoni”, u shpreh Hoxha.



