Samiti i Diasporës në Tiranë u shoqërua me kritika nga pjesëmarrësit, të cilët shprehën pakënaqësi për mungesën e përfshirjes reale të diasporës.
Juristja shqiptare në Prokurorinë e Bolonjës, Eva Baçi, theksoi se, pavarësisht dëshirës për të kontribuar, diaspora nuk po dëgjohet mjaftueshëm. Sipas saj, samite të tilla shpesh mbeten në nivel deklarativ dhe nuk u japin hapësirë zërave të profesionistëve jashtë vendit.
Ajo vuri në dukje se shqiptarët në diasporë ndihen të papërfaqësuar dhe trajtohen më shumë si statistika sesa si potencial real për zhvillim. Baçi theksoi mungesën e mundësive konkrete për angazhim, pavarësisht përgatitjes dhe gatishmërisë së tyre.
Në përfundim, ajo bëri thirrje për më shumë hapje dhe përfshirje reale, duke theksuar se problemi nuk është mungesa e kapaciteteve, por mungesa e mundësive për t’i shfrytëzuar ato.



