Pse dështoi “Balancuesi” – dizajni i gabuar i qeverisë së Gruevskit

Shkruan: Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Në një prononcim të para dy viteve, ish-kryeministri Gruevski sqaroi për opinionin se si ai dhe qeveria e tij e projektoi “balancuesin” gjatë v. 2014 duke u ndërlidhur me dispozitën kushtetuese pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit që parashikon përfaqësimin e drejtë të bashkësive më të vogla etnike në sektorin publik, ku sipas tij, cilësia (kompetenca) u bë dytësore në raport me të drejtat kolektive dhe se kjo gjë krijoi devijime në sistem. Gjithashtu, sqaroi se, çfarë ndodhte para se të ekzistonte balancuesi? Ndodhte që shumica e përfaqësuesve të bashkësive më të vogla etnike nga ajo maqedonase ishin të punësuar në një ministri ose administratë ku kreu ishte nga ajo bashkësi etnike. Për shembull, për një periudhë prej rreth pesë vitesh, Ministria e Shëndetësisë kishte ministra shqiptarë dhe duke mos pasur fuqi dhe mjete të mjaftueshme për të shpërndarë shqiptarët në mënyrë të barabartë në administratë, në Ministrinë e Shëndetësisë përqindja e përfaqësimit të shqiptarëve arriti në 40%. Kush ankohej për këtë gjë? Ankoheshin maqedonasit dhe bashkësitë e tjera. Ndërkaq, në disa ministri të tjera ku nuk kishte ministër shqiptar ose nuk kishte pasur ministër shqiptar për një kohë të gjatë, përqindja e përfaqësimit ishte 4%, 7% ose 10% e punonjësve shqiptarë. Kush ankohej atje? Ankoheshin shqiptarët.

Nga ky sqarim i ish-kryeministrit Gruevski si projektues i “balancuesit” vërtetohet qartë se si nuk duhej të zbatohej pika 4.2. e Marrëveshjes së Ohrit.

Në pikën 4.2. të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit thuhet: “Ligjet që rregullojnë punësimin në administratën publike do të përfshijnë masa për të siguruar përfaqësimin e drejtë të bashkësive në të gjitha organet publike qendrore dhe lokale dhe në të gjitha nivelet e punësimit brenda organeve të tilla, duke respektuar rregullat në lidhje me kompetencën dhe integritetin që qeverisin administratën publike”.

Gabimin që e bëri ish-kryeministri Gruevski dhe qeveria e tij me “balancuesin” ishte se, shprehja “kompetencë dhe integritet” vlen për të gjithë qytetarët në sektorin publik, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, romë, etj. Pra, fraza: “duke respektuar rregullat në lidhje me kompetencën dhe integritetin që qeverisin administratën publike” vepron si një kualifikues për të gjithë procesin e punësimit duke siguruar ristruktuimin e administratës publike për të qenë më gjithëpërfshirëse (përfaqësimi i drejtë) mirëpo, duke ruajtur standardet e kompetencës dhe integritetit (meritokracisë).

Pra, pika 4.2. e Marrëveshjes së Ohrit nuk i përjashton kandidatët shqiptarë dhe të tjerë nga kompetenca dhe integriteti (meritokracia), e as nuk nënkupton se vetëm maqedonasit janë të aftë për të qenë kompetent (meritor), sepse përcakton një standard universal të meritokracisë për të gjithë punonjësit, ndërsa mandaton rekrutimin proaktiv për të përmirësuar përfaqësimin e bashkësive jo-shumicë.

Pra, Marrëveshja e Ohrit i jep përparësi kompetencës, meritës dhe integritetit për të siguruar aftësinë funksionale të shtetit ku, përkatësia etnike nuk e lë në hije kompetencën sepse qëllimi është të rekrutohen kandidatët më të mirë.

Në planin afatgjatë, “balancuesi” dështoi sepse i jepte përparësi kuantitetit në raport me kualitetin dhe ky dështim preku të gjithë administratën publike, duke krijuar probleme sistemike që i dëmtuan njësoj si maqedonasit, ashtu edhe shqiptarët, turqit, romët, etj.

Praktikisht, sipas “balancuesit” (që detyronte çdo aplikant të deklaronte përkatësinë kombëtare), çdo konkurs për punësim nga një institucion duhej të përmbante përkatësinë kombëtare në kllapa, ku specifikohej se kërkohen për shembull, dy maqedonas, ndërkaq, institucioni realisht kishte nevojë për dy ekonomistë, me çrast të gjithë jomaqedonasve u ndalohej të aplikojnë për atë vend pune dhe anasjelltas. Kjo ishte një shembull shkollor i diskriminimit etnik të qytetarëve dhe i cenimit të shprehjes së lirë të përkatësisë kombëtare si dhe i aksesit në punë për të gjithë qytetarët në kushte të barabarta.

“Balancuesi” u abuzua gjerësisht nëpërmjet falsifikimit të identitetit kombëtar, ku kandidatët ndryshonin etninë e tyre në aplikimet për punë për t’iu përshtatur konkurseve me kllapa etnike. Ai u bë një mjet jotransparent ku interesat e partive politike dhe klientelizmi e diktonin punësimin në sektorin publik gjë që ndikoi në rënien e cilësisë së shërbimeve publike, duke minuar edhe kompetencën dhe integritetin (meritokracinë) për të gjithë aplikantët, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare.

Prandaj, edhe raportet evropiane, si p.sh. ai i Komisionit Evropian i v. 2023 ku theksohej se, kjo vegël dixhitale nuk i përmbushte më objektivat e saj dhe nuk përputhej me të dhënat e regjistrimit të fundit të v. 2021 ndërkaq, BE theksoi se administrata publike duhet të jetë efikase, profesionale, e paanshme dhe e përgjegjshme ku fokusi i “balancuesit” në etni mbi meritën binte ndesh me këto standarde, duke, bërë thirrje për një zgjidhje të re, më transparente që respekton parimin e mosdiskriminimit, duke ruajtur njëkohësisht edhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Edhe Qeveria e mëparshme në v. 2023, e miratoi Strategjinë për reformën e administratës publike që vlen deri në v. 2030 ku thuhet se, “balancuesi” duhet të braktiset sepse ka humbur vlerën e tij të dobishme, abuzohet me të dhe nuk i jep rezultatet e pritura.

Kështu që, pasi faktori politik (maqedonas dhe shqiptarë) hoqi dorë nga “balancuesi”, Gjykata Kushtetuese në tetor të v. 2024 e shfuqizoi atë, mirëpo, me këtë krijoi një boshllëk juridik që kërkonte zgjidhjen e duhur për sendërtimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë si një nga shtyllat bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe vlerë themelore e rendit tonë kushtetues.

Në v. 2009 gjatë promovimit të marrëveshjes së re, njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit z. Arbën Xhaferi, mes tjerash, potencoi se Marrëveshja e Ohrit në mënyrë brutale nuk u realizua për përfaqësimin adekuat ndërsa, në v. 2021, 20 vite pas nënshkrimit të saj, në Arkivin shtetëror për herë të parë do të dorëzohet dokumenti i saj origjinal i ish-Kryetarit të PPD z. Imer Imeri që ishte edhe nënshkruesi i saj.

Ndërsa synimet e politikave të ish-kryeministrit Gruevski mund të kenë qenë të qëlluara, vegla dixhitale “balancuesi” i epokës së tij dështoi, por jo edhe pika 4.2 e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila, 25 vjet më vonë si një themel i pakthyeshëm kushtetues, për herë të parë do të operacionalizohet me ligj të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë për të mbrojtur këtë Marrëveshje nga abuzimet e një çerek shekulli.

“Balancuesi” vdiq – Rroftë Marrëveshja e Ohrit!

(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)