Bashkësia Hebraike në Maqedoninë e Veriut njoftoi se sot është tentuar të digjet objekti i tyre dhe sinagoga, përcjell TV21. Ata e dënojnë këtë akt dhe u bëjnë thirrje institucioneve kompetente për zbardhjen e plotë të rastit, zbatimin konsekuent të ligjeve, si dhe për një dënim të qartë dhe të përbashkët nga liderët fetarë, institucionet dhe qytetarët.
“Më 12 prill, për herë të parë në historinë e re është bërë përpjekje për djegien e objektit të Bashkësisë Hebraike dhe sinagogës. Ky akt nuk është vetëm një sulm ndaj një objekti fetar, por një goditje thellësisht shqetësuese ndaj vlerave themelore të një shoqërie të civilizuar – bashkëjetesës, dinjitetit dhe respektit të ndërsjellë. Bashkësia Hebraike, si komuniteti më i vogël, por historikisht i rrënjosur thellë në këto troje që nga Antikiteti, gjithmonë e ka ndërtuar ekzistencën dhe kontributin e saj mbi parimet e paqes, solidaritetit dhe bashkimit. Ne kemi jetuar veçmas në traditat tona fetare, por së bashku në përditshmëri – krah për krah me të gjithë bashkëqytetarët tanë, duke ndarë si gëzimet ashtu edhe sfidat e kësaj shoqërie”, thuhet në deklaratën për media të nënshkruar nga kryetari i Bashkësisë Hebraike në Maqedoni, Pepo Levi.
Në njoftim theksohet me shqetësim se vitet e fundit janë shtuar dukuritë e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe identifikimit të rrezikshëm të hebrenjve me zhvillimet komplekse gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Këto tendenca nuk janë vetëm të gabuara, por edhe thellësisht të padrejta, dhe hapin rrugën për ringjalljen e antisemitizmit – një fenomen që njerëzimi duhej ta kishte lënë pas.
“Tentativa për zjarrvënie është një pasojë alarmante pikërisht e kësaj klime. Ne e dënojmë ashpër dhe pa mëdyshje këtë akt. Njëkohësisht, bëjmë thirrje për një dënim të qartë, të zëshëm dhe të përbashkët nga të gjithë liderët fetarë, institucionet dhe qytetarët. Vetëm përmes përgjegjësisë dhe vigjilencës së përbashkët mund të sigurojmë që këto dukuri të mos përsëriten më. U bëjmë thirrje organeve kompetente për zbardhjen e plotë të rastit dhe zbatimin konsekuent të ligjit. Por mbi të gjitha, i bëjmë thirrje ndërgjegjes së shoqërisë – të mos lejojmë që urrejtja, frika dhe padituria të bëhen më të forta se arsyeja, humanizmi dhe drejtësia”, thuhet në deklaratë.




