Zv/ministrja e Sportit premtoi hapjen e pishinës brenda 10 ditëve. Kanë kaluar plot 3 javë që kur zëvendësministrja e sportit Safije Sadiki-Shaini premtoi se brenda 10 ditësh do të lëshohet në përdorim pishina e mbyllur në Kërçovë.
Më 24 mars ajo i tha TV21 se gjithçka është gati dhe se brenda 10 ditëve pishina do të hapet.
“Ju informojmë se pishina në Kërçovë është në fazën përfundimtare të realizimit. Të gjitha punimet ndërtimore dhe teknike janë drejt përfundimit dhe pritet që brenda 10 ditëve të bëhet hapja solemne”, tha Safije Sadiki Shaini – zv/ministre e sportit (24.03.2026).
Kaluan 18 ditë nga ky zotim dhe asnjë hapje solemne nuk u bë! Kërçovarët vazhdojnë të presin.
Kryetari i komunës Aleksandar Jovanovski kohë më parë tha se ka probleme të aspektit teknik që po mundohen t’i zgjidhin.
“Ka pasur shumë probleme teknike e dini si është administrata EVN por kam një ekip të përbërë që sa më shpejt ta lëshojnë në përdorim”, tha Aleksandar Jovanovski- kryetari i komunës së Kërçovës.
Pishina është investim i Agjencisë për Rini dhe Sport, tanimë e shndërruar në Ministri të Sportit.
Filloi të ndërtohet në vitin 2020 dhe ishte paraparë të përfundonte brenda 18 muajve, por tanimë janë bërë 6 vjet! Ka kushtuar 43 milionë denarë.
Projekti ka rëndësi të veçantë për zhvillimin e sportit dhe për të rinjtë, të cilët presin që pishina të hapet dhe të kenë një mundësi më shumë për aktivitete sportive.




