Fillon puna për zgjidhje lidhur me Provimin e Jurisprudencës: Jeton Shasivari anëtar i Komisionit

Fillon puna për zgjidhje lidhur me Provimin e Jurisprudencës: profesori Jeton Shasivari anëtar i Komisionit

Komisioni i ekspertëve kushtetues i formuar nga Qeveria ende po kërkon zgjidhje nëse studentët shqiptarë do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk i zbulon emrat e ekspertëve që janë pjesë e komisionit.
Më herët, zëvendëskryeministri Bekim Sali në një intervistë për Alsat theksoi se ky komision do të përbëhet nga ekspertët që kanë punuar në Ligjin për Përfaqësim të Drejtë.
“Kur të arrijmë një zgjidhje, do t’i bëjmë të ditur edhe emrat dhe natyrisht edhe vetë zgjidhjen”, deklaroi Mickoski.
Deri tani, vetëm profesori Jeton Shasivari ka pranuar publikisht se është pjesë e Grupi Punues për provimin e Jurisprudencës.
Në një shkrim autorial të tij të publikuar në Ina Online, Shasivari thotë se: “roli im brenda grupit të punës kërkon një nivel neutraliteti dhe kolegjialiteti profesional për të siguruar një dialog funksional me kolegët e mi të nderuar maqedonas…”.
Megjithatë, edhe pse nuk është zyrtare, burime të gazetës KOHA thonë se në këtë Grup është diskutuar edhe emri i Karakamishevës, njëra nga autorët e Ligjit për përfaqësimin e drejtë.
Përndryshe profesori i UEJL Shasivari njihet në opinion si “thyes i barrierave gjuhësore” sepse siç kemi raportuar më herët, në shtator të vitit të kaluar e “theu akullin” para Gjykatës Kushtetuese duke folur për herë të parë në historinë mbi 60-të vjeçare të kësaj Gjykate plotësisht në gjuhën shqipe duke treguar se shqipja e ka vendin e merituar para gardianit të kushtetutës.
Kujtojmë se më parë, politikani si Talat Xhaferi kishte filluar fjalimin në shqip në këtë institucion, por për mungesë të përkthimit kishte vazhduar në maqedonisht.