Mesfushori 17-vjeçar, Adri Mehmeti, ka shënuar golin e parë në Ligën MLS të SHBA-së në futboll.
Futbollisti shqiptar nuk do të mund të kishte zgjedhur moment më të mirë për këtë.
Ai realizoi në natën mes të shtunës e të dielës, në barazimin 2:2 të New York Red Bulls ndaj skuadrës së Lionel Messit, Inter Miami.
Derisa superylli Messi dhe yje të tjerë të Miamit ishin në fushë, Mehmeti realizoi për 2:2 në minutën e 77-të.
I lindur në New York, Mehmeti ka luajtur për Shqipërinë U15 dhe më pas për SHBA-në U15. Rrjedhimisht e ka të drejtën të vendosë se cilin vend do ta përfaqësojë.
Talenti është bashkuar me Akademinë e New York Red Bulls në vitin 2019. Pas avancimit të vazhdueshëm në karrierë, në dhjetor të vitit 2024 firmosi për katër vjet me klubin amerikan.
Në dy vjetët e kaluar luajti në MLS Next Pro, kurse këtë edicion tashmë i ka shtatë paraqitje, dy asistime e një gol në MLS.
“Lionel Messi dhe Inter Miami marrin barazim 2:2 me Red Bulls, pasi 17-vjeçari Mehmeti shënoi gol të vonshëm”, është titulli i shkrimit të agjencisë AP. Kjo agjenci ka përmendur faktin që Messi kishte shënuar dy gola në një ndeshje në Champions më 8 prill 2009, dy ditë pasi Adri Mehmeti ishte lindur.
“Jam shumë krenar me ekipin. Shumë krenar për lojtarët dhe mënyrën se si luajtën ndaj një ekipi shumë të mirë”, ka thënë trajneri i New Yorkut, Michael Bradley.
Messi nuk realizoi por ndihmoi në përgatitjen e golit të dytë të skuadrës së tij.



