Si asnjëherë më parë, Arbeloa shpërthen në akuza ndaj gjyqtarit pas ndeshjes me Gironën

Alvaro Arbeloa lëshoi një sulm të ashpër ndaj zyrtarëve pas ndeshjes, pasi Real Madrid u privua, sipas tij, nga një penallti e qartë në barazimin 1-1 ndaj Girona.

Trajneri i Madridit gjithashtu komentoi shqetësimet rreth Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior, teksa “Los Blancos” humbën sërish pikë në garën për titull.

Real Madridi mbeti i zhgënjyer pas një vendimi kontrovers që i mohoi një penallti potencialisht vendimtare në minutat e fundit të ndeshjes.

Një moment i diskutueshëm ndodhi në minutën e 88-të, kur Mbappe u duk se u faullua nga Vitor Reis.

Pamjet filmike treguan Mbappe duke u goditur me bërryl nga Reis, duke mbetur i gjakosur në fytyrë. Megjithatë, gjyqtari Javier Alberola nuk e vlerësoi si faull dhe VAR nuk ndërhyri.

“Është penallti këtu dhe në hënë. Dhe është vetëm një më shumë. Një tjetër. Është ajo që kemi, është ajo që është. As unë dhe askush tjetër nuk e kupton. VAR ndërhyn kur i leverdis, dhe kur jo, nuk ndërhyn”.

“E kam thënë edhe dje, dhe ju e dini mendimin tim. Këto raste e konfirmojnë atë. Është një faull i qartë. Kylian u ndëshkua për një faull në pjesën e parë që ishte edhe më i lehtë”.

“Ne kemi pasur shumë probleme me gjyqtarët. Me këtë, në Mallorca… është e njëjta histori e vjetër”, ka deklaruar Arbeloa.