Interi arrin marrëveshje verbale për transferimin e parë të verës

Eksperti i afatit kalimtar Matteo Moretto, raporton se Interi ka arritur një marrëveshje verbale me mbrojtësin e Sassuolos, Tarik Muharemovic.

“Zikaltërit” e kanë vendosur qendërmbrojtësin boshnjak si një objektiv kryesor për verën, ndërsa 23-vjeçari po i jep përparësi një transferimi në “San Siro” përpara ofertave të tjera.

Marrëveshja me Sassuolon ende mungon, por Inter vazhdon negociatat. Tarifa e transferimit konsiderohet si pengesa kryesore, ndërsa liderët e Serie A po shqyrtojnë edhe mundësinë për të përfshirë lojtarë në marrëveshje.

Një element tjetër i rëndësishëm është se Juventusi zotëron 50% të të drejtave ekonomike të lojtarit.

“Zonja e Vjetër” po e ndjek gjithashtu nga afër mbrojtësin, megjithatë Interi duket se është përpara në garën për transferimin e tij.

Muharemovic po konfirmohet si një nga qendërmbrojtësit më të spikatur në elitën e futbollit italian.

Ai gjithashtu ka luajtur së fundmi një rol kyç në kualifikimin e Bosnje dhe Hercegovinës për Kupën e Botës 2026.

Interi synon të rinovojë repartin defensiv për shkak të largimeve të pritshme të lojtarëve me përvojë si Francesco Acerbi dhe Stefan De Vrij.