Çupeska ngre alarmin për Marrëveshjen e Ohrit: Drejtuesit e shtetit po luajnë me zjarr

Në Maqedoninë e Veriut ka përpjekje të vazhdueshme të disa subjekteve për destruktim tendencioz të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kështu ka alarmuar profesoresha dhe ishnënkryetarja e LSDM-së, Ana Çupeska, transmeton Portalb.mk.

Në një kolumnë në Racin, ajo thotë se kjo nuk është vetëm debat politik, por një instrumentalizim i rrezikshëm i Kushtetutës, i pamëshirshëm dhe subversiv.

Çupeska thotë se është e qartë se ekziston tendencë për erozion institucional përmes anashkalimit të Amendamentit 5 të Kushtetutës.

“Në këtë drejtim, është e papranueshme që Gjykata Kushtetuese, në vend që të jetë filtri suprem i ligjshmërisë, me vetëdije ta margjinalizojë Amendamentin 5 – shtyllën themelore të barazisë gjuhësore”, tha Çupeska.

Ajo shton se ky degradim i së drejtës po zhvillohet përmes dy strategjive të rafinuara:

  1. Taktizim politik dhe “limbo procedurale”: përmes zvarritjes së qëllimshme të vendimeve krijohet një vakum juridik që shërben si terren për manipulime politike me çështjet më të ndjeshme identitare (20%).
  2. Formalizëm teknokratik përballë thelbit kushtetues: në vend që Gjykata të mbrojë frymën e Kushtetutës, ajo strehohet pas çështjeve banale teknike, duke injoruar me vetëdije Amendamentin 5 si pjesë të pandashme të rendit tonë të vlerave (safe city).

Megjithatë, ajo thotë se kjo nuk mund të shihet e izoluar dhe jashtë kontekstit, sepse është e dukshme se ekziston një destruksion i koordinuar i rendit përmes disa pikave të pushtetit formal, ose, këto fenomene nuk janë incidente të izoluara, por simptoma të një koordinimi më të gjerë dhe të rrezikshëm.

“Ky koordinim zbulohet përmes retorikës dhe praktikës naive të ministrit Filkov, të orientuar drejt derogimit të parimit të Badenterit (fillimisht përmes intervistës në “Fokus”, tani përmes dhënies së provimeve), në korrelacion me bllokadat administrative të proceseve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit”, thekson Çupeska.

Ajo thotë se njerëzit që aktualisht drejtojnë institucionet duket se kanë vendosur të “luajnë me zjarrin”.

“Pse? Sepse ata po sfidojnë rendin në pikën e tij më të ndjeshme, duke harruar se pikërisht Marrëveshja Kornizë për bashkëjetesë është garantuesi i stabilitetit të brendshëm”, thotë ajo mes tjerash.

Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut periudhën e fundit janë aktualizuar çështjet etnike, nisur nga shfuqizimi i ‘Balancuesit’, kontestimi i Ligjit të gjuhëve, mohimi i dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. dygjuhësia e sistemit ‘Qyteti i Sigurt‘ dhe të tjera. Këto kanë hapur debat të gjerë në dhe përplasje të ashpra midis partive opozitare dhe atyre në pushtet.