VLEN: Ligji për përfaqësim të drejtë merr dritën jeshile në Qeveri, hap drejt miratimit në Kuvend

Koalicioni VLEN ka përshëndetur miratimin e draft-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Qeveri, duke e cilësuar atë si një arritje historike dhe një hap të rëndësishëm drejt barazisë institucionale.

Në reagimin e tyre, nga VLEN theksojnë se ligji tashmë ka marrë “dritën jeshile” dhe se mbetet vetëm miratimi përfundimtar në Kuvend.

“Ditë e bukur sot. Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mori dritë jeshile në Qeveri dhe tani i ka mbetur vetëm edhe vula e Kuvendit”, thuhet në reagim.

Sipas këtij koalicioni, bëhet fjalë për një çështje që ka mbetur e pazgjidhur për më shumë se dy dekada dhe që tani po merr zgjidhje konkrete përmes këtij ligji.

“Pas mbi dy dekadash, me krenari mund të themi se më në fund jemi në rrugë për të mbyllur edhe një çështje që ishte lënë përgjysmë. Ky është ligj historik. Ka peshë të madhe, sepse për herë të parë kjo kategori kushtetuese e paraparë me Marrëveshja e Ohrit sanksionohet me ligj”, theksojnë nga VLEN.

Nga ky subjekt politik shtojnë se do të vazhdojnë me realizimin e prioriteteve të tjera, duke premtuar zgjidhje graduale për çështjet e mbetura.

“Ky është VLEN-i. Pak e nga pak çdo gjë e lënë pas dore do ta zgjidhim”, përfundon reagimi.

Draft-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pritet të procedohet në Kuvend për miratim përfundimtar në periudhën në vijim.