Dialogu Strategjik me SHBA-në riafirmon rolin tonë si një aleat dhe partner të besueshëm, potencoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, i cili udhëheq delegacionin qeveritar të nivelit të lartë në sesionin e dytë të Dialogut Strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, i cili po mbahet sot në Uashington.
“Sot në Uashington, po udhëheq delegacionin i cili merr pjesë në sesionin e dytë të Dialogut Strategjik midis dy vendeve, të cilin e hapëm së bashku me Brendan Hanrahan, Përfaqësues i Lartë i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. Ky dialog përfaqëson një format të rëndësishëm për avancimin e bashkëpunimit dypalësh dhe konfirmimin e aleancës së fortë dhe partneritetit strategjik”, shkroi Mucunski në Fejsbuk.
Ai theksoi se fokusi i bisedimeve është vendosur në fushat kryesore, duke përfshirë çështjet globale dhe rajonale, mbrojtjen dhe sigurinë, bashkëpunimin energjetik dhe ekonomik, sigurinë kibernetike dhe dixhitale, si dhe përforcimin e sigurisë kufitare dhe adresimin e kërcënimeve transnacionale.
“Sesioni i dytë i Dialogut Strategjik është një konfirmim i angazhimit të përbashkët për promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit, si dhe për përforcimin e mëtejshëm të lidhjeve transatlantike. Dialogu Strategjik riafirmon rolin tonë si një aleat dhe partner të besueshëm, me një angazhim të qartë ndaj vlerave të përbashkëta dhe stabilitetit të rajonit”, thuhet në publikimin e Mucunskit.



