Pas disa javësh shtyrje, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu thotë se Ligji për mbrojtje nga duhani është harmonizuar me Ministrinë e Bujqësisë. Arsyeja pse nuk është futur në procedurë qeveritare, edhe pse ishte paralajmëruar para dy javësh, është se disa dispozita janë në kundërshtim me Ligjin për duhanin. Ai pret që ligji shumë shpejt të hyjë në procedurë qeveritare.
“Ligji është drejt finalizimit. Sot kam takimin e fundit me ministrin për të sinkronizuar edhe nga aspekti juridik dhe vlerësoj se brenda kësaj jave, më së voni javën tjetër, do të jetë pjesë e procedurave qeveritare”, tha Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë .
Ligji ka shkaktuar reagime të forta nga tregtarët e vegjël, prodhuesit dhe distributorët e produkteve të duhanit, të cilët paralajmërojnë ndikim në punën e tyre dhe në tregun legal. Sipas tyre, një pjesë e zgjidhjeve të propozuara mund të ulë të ardhurat, pasi shitja e produkteve të duhanit përbën pjesë të konsiderueshme të qarkullimit në dyqanet e vogla dhe trafikat.
Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se gjatë përgatitjes së ligjit janë konsultuar të gjitha palët e interesuara, përfshirë tregtarët dhe industrinë e duhanit. Megjithatë, ai theksoi se ligji duhet të respektohet në mënyrë rigoroze, veçanërisht ndalimi i pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura publike, duke shtuar se deri tani rregullat shpesh nuk janë zbatuar. Ai gjithashtu e konsideron të papranueshëm përdorimin e vajpeve, të cilat po bëhen gjithnjë e më tërheqëse për të miturit.
“Po shohim gjithnjë e më shumë raste ku të miturit përdorin të ashtuquajturat vajpe me shije. Kjo nuk është në rregull. Nëse luftojmë kundër duhanit, ndërkohë që fëmijët që në moshë të vogël përdorin vajpe të aromatizuara që mund të çojnë në diçka tjetër, kjo nuk është e pranueshme. Dhe ata që i importojnë arsyetohen se do të ketë kontrabandë nga vendet fqinje”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër .
Prodhuesit dhe distributorët paralajmërojnë edhe për pasoja fiskale, duke theksuar se rreth 350 milionë euro në vit derdhen në buxhet nga akcizat, doganat dhe taksat e industrisë së duhanit, si dhe rreth 200 milionë euro nga blerja e duhanit. Sipas tyre, ekziston rreziku që këto të ardhura të bien nëse rritet tregtia ilegale.



