NJPB Negotinë ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Kavadarit kundër K.N. (29) nga Velesi dhe G.M. (54) me banim në Shkup për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e 11 veprave penale, nga të cilat dhjetë janë “tentativë mashtrimi” dhe një është “mashtrim” sipas nenit 247 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Në periudhën e kaluar, një person nga jashtë vendit ka kontaktuar me persona të moshuar përmes telefonit, u është paraqitur në mënyrë të rreme dhe i ka mashtruar se anëtarë të ngushtë të familjeve të tyre janë të lënduar në aksidente dhe kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, duke u përpjekur t’i mashtrojë me shuma më të mëdha parash, ndërsa të denoncuarit K.N. dhe G.M. kanë pasur detyrë të marrin paratë, pas së cilës G.M. ia ka dorëzuar ato një personi në Sofje, Republika e Bullgarisë. Në këtë mënyrë, ata kanë arritur të mashtrojnë një grua 81-vjeçare nga Negotina me shumën prej 314.600 denarësh.
Më 19.02.2026, pas marrjes së masave, zyrtarët e policisë nga NJPB Negotinë e privuan nga liria K.N., i cili në një intervistë zyrtare i konfirmoi plotësisht ngjarjet. Dy ditë më vonë, më 21.02.2026, në Pikën Kufitare Deve Bair, u privua nga liria edhe G.M., të cilit iu gjetën dhe u konfiskuan 4.400 euro, ndërsa gruas së tij, e cila ishte me të në automjet, iu gjetën dhe u konfiskuan 4.350 euro.
Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut janë raportuar disa herë raste të ngjashme . Personat prezantohen si zyrtarë (p.sh., policë) dhe kërcënojnë që fëmijët e tyre janë akuzuar për aksidente serioze — në Kumanovë një grua pagoi deri në 30 000 euro para se të kuptonte se ishte mashtruar. Ose, mashtruesit paraqiten si doktorë, që për të “shpëtuar” të afërmin e viktimës, kërkojnë një shumë të caktuar.
Pra, modeli i mashtrimit është thuajse identik: përdoren frika nga dënimi/humbja e të afërmve për shkak të aksidenteve dhe kërcënimi i humbjes së tyre, ndërsa shumat e kërkuara janë të mëdha, dhe viktimat, zakonisht të moshuara, bien pre e mashtrimeve të tilla.





