Devijimi i Korridorit 8-të, Nikollovski: S’mund ta rrezikojmë anëtarësinë në UNESCO, po kërkojmë zgjidhje të re

Një rekomandim i UNESCO-s për Maqedoninë e Veriut për segmentin Trebenishtë-Qafë Thanë ka mjaftuar që shteti ta rishikojë këtë projekt.

Ministri i transportit Aleksandar Nikollovski thotë se nuk mund të rrezikohet përjashtimi nga UNESCO për lëshimet që janë bërë nga projektuesit në kohën e pushteti të kaluar.

 “Ndërtohet aksi për momentin, kështu që nëse s’do të kishim qëllim për të punuar nuk do të bëhej! Por, gjithashtu ka rekomandim shumë të qartë nga UNESCO për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe të trashëgimisë kulturore, duke pasur parasysh se kjo zonë është e mbrojtur nga UNESCO, shkaku i relikteve të shumta arkeologjike që gjenden në këtë trase. Ne e kemi patjetër t’i përmbahemi rekomandimeve të UNESCO-s që për këtë trase nuk mund të merren vendime të pakthyeshme”, tha Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.

 

 

Nikollovski për TV21 tha se nuk do të mbetet pa rrugë të rikonstruar segmenti që lidhet me Qafë Thanën dhe aktualisht po përpiqen të gjejnë një modalitet për përshtatshëm duke respektuar rekomandimet e UNESCO-s por duke shtuar edhe lidhjen në akse të qytetit të Strugës dhe Aeroportit të Ohrit. Nikollovski tha se është në interes të shtetit që lidhjet të bëhen të gjithanshme.

 “Kjo zgjidhje e sjellë nga pushteti i kaluar i LSDM-BDI nuk parasheh lidhje me Komunën e Strugës me këtë autostradë. Dikush mund të thotë se mund të bëhet lidhje e re, por në projektin aktual nuk është, unë e kam këtu. Nuk ka lidhshmëri as me aeroportin sepse kalon mbi vendndodhjen aktuale të aeroportit dhe është e pamundur të lidhet me aeroportin që do të thotë nëse jeni nga Struga ose Ohri e keni patjetër të përshkoni përmes rrugës tjetër Ohër-Kërçovë”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.

 

 

Përveç për Korridorin 8 ka pasur edhe 7 rekomandime tjera të UNESCO-s për Maqedoninë e Veriut. Sipas raportit të fundit të Komitetit të trashëgimisë botërore të kësaj organizate, shumica e shkeljeve janë të evidentuara në Ohër me ndërtimet dhe mbindërtimet pa leje në perimetrin e zonës së mbrojtur.

Këto rekomandime u diskutuan në një takim të autoriteteve tona me përfaqësuesit e UNESCO-s në Paris për mbrojtjen e statusit të kësaj zone në UNESCO dhe pas kësaj të punohet për një zgjidhje.

Ndryshe nga pjesa e Shqipërisë punimet po vazhdojnë për lidhjen e Korridorit 8 me autostradë drejtë vendkalimit kufitar Qafë Thanë, megjithëse fqinjit tonë UNESCO i ka bërë njësoj rekomandime për punimet në zonën e mbrojtur të Liqenit Ohrit./TV21