Anëtaret e NATO-s vitin e kaluar shpenzuan mbi 2% të buxhetit për mbrojtje, RMV-ja në vendin e 17-të

Raporti i NATO-s për shpenzimet në periudhën 2014–2025 tregon se Evropa dhe Kanadaja vitin e kaluar i rritën shpenzimet për mbrojtje me rreth 20 përqind. Megjithatë, mes vendeve anëtare të Aleancës ka dallime të mëdha në shpenzimet për mbrojtje, transmeton Portalb.mk.

Si tregues se si agresioni rus dhe presionet nga Donald Trump po i shtyjnë aleatët të shpenzojnë më shumë për mbrojtje, të 32 vendet anëtare të NATO-s e arritën objektivin prej 2% të PBB-së në vitin 2025, sipas analizës.

Shpenzimet për vitin e kaluar në raport bazohen në vlerësimet e NATO-s.

Sipas të dhënave nga raporti vjetor, anëtarët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja investuan gjithsej 574 miliardë dollarë në mbrojtje gjatë vitit 2025, që përfaqëson një rritje prej 20 për qind në terma realë krahasuar me vitin paraprak.

“Kjo tregon se aleatët e NATO-s e kuptojnë mjedisin tonë të ndryshuar të sigurisë dhe nevojën për të përmbushur detyrimet tona kolektive. Pres që samiti i NATO-s në Ankara këtë korrik të ndërtohet mbi arritjet tona në vitin 2025”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në raport.

Në ndërkohë, dokumenti zbulon mospërputhje të mëdha në shpenzimet mes aleatëve.

Në vitin 2025, Spanja, Portugalia, Shqipëria, Belgjika dhe Kanadaja shpenzuan pjesën më të vogël të PBB-së për mbrojtje, secila saktësisht 2 për qind.

Maqedonia e Veriut është në gjysmën e dytë të listës së përbërë nga 31 vende anëtare, me 2,13 për qind të PBB-së për mbrojtje, duke u renditur në vendin e 17-të.

Polonia vitin e kaluar shpenzoi më së shumti për mbrojtje, 4,3 për qind të PBB-së, ndërsa Lituania, Letonia, Estonia dhe Danimarka gjithashtu janë dukshëm mbi 3 përqind.

Luksemburgu, Belgjika dhe Sllovenia i rritën më shumë shpenzimet në baza vjetore në vlera absolute, ndërsa shpenzimet u ulën në Hungari, Çeki dhe SHBA.

Ndryshe, raporti vjetor i NATO-s e identifikon Rusinë si “kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajonin euroatlantik”, duke vlerësuar se Kremlini “ka vazhduar të testojë aleancën ushtarake perëndimore, duke u bërë gjithnjë e më i pakujdesshëm, përfshirë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimit dhe aktivitetit malinj kibernetik”.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020 vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.