Kombet e Bashkuara kanë propozuar një plan emergjence me vlerë 94.1 milionë dollarë për Kubë, me synim përballimin e krizës së thelluar energjetike dhe humanitare në vend.
Plani parashikon edhe monitorimin e furnizimeve me karburant, me qëllim që të mundësohet importi i energjisë për përdorime humanitare, duke lehtësuar efektet e bllokadës së naftës të vendosur në janar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Koordinatori i OKB-së në ishull, Francisco Pichón, deklaroi se iniciativa synon të mbajë në funksion shërbimet bazë jetike për popullsinë. “Nëse situata aktuale vazhdon dhe rezervat e karburantit shterohen, ekziston rreziku i një përkeqësimi të shpejtë, madje edhe me humbje jetësh”, paralajmëroi ai.
Sipas tij, organizata është në bisedime me Uashingtonin për të arritur një marrëveshje mbi një model gjurmueshmërie për përdorimin e karburantit. “Fizibiliteti dhe zbatimi i këtij plani varen drejtpërdrejt nga sigurimi i furnizimeve me energji,” theksoi Pichón.
© BalkanWeb



