“Pastrim” në MPB–1/3 e drejtuesve jashtë loje! Mickoski dhe Toshkovski garantojnë balancë etnike

Sistematizimi i ri në Ministrinë e Brendshme pritet të heq nga funksioni rreth 38% të shefave të policisë, zëvendësshefa, ndihmës dhe struktura tjera udhëheqëse, paralajmëroi Ministri Pançe Toshkovski. Sipas tij, më shumë se 1/3 e strukturave udhëheqëse do të zvogëlohet pasi që nuk kanë kryer funksione konkrete përkundër pagave të majme. Ristrukturimi i ri do të japë përgjegjësi konkrete për udhëheqësit, por assesi nuk do të jetë “fshesë” për strukturat udhëheqëse të bashkësive tjera etnike, tha Toshkovski.

“Ligji në vetvete, përkatësisht sistematizimi dhe e gjithë ato aktet nënligjore nuk nënkupton ndasi etnike. Çdonjëri që i plotëson kushtet, ka shkollim përkatës, aftësi, vite stazh dhe përvoja të mëparshme në MPB e kështu me radhë, do të mund të zgjidhet pas aplikimit në kuadër të strukturës së re organizative. Unë personalisht mund të them se njoh numër të madh të shqiptarëve profesionistë… të cilët mund të ishin pjesë e strukturës së re udhëheqëse të MBP-së”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ka nevojë për sistematizim të ri në shumë institucione dhe si proces duhet të ndodh kohë pas kohe sepse nevojat ndryshojnë. Ai tha se nuk do të cenohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i punësimit të profesionistëve me përkatësi të ndryshme etnike, duke mos e politizuar çështjen.

“A se do të ketë përfaqësim të drejtë absolutisht po dhe për këtë askush të mos merakoset, do të ketë përfaqësim të drejtë. Ligjin, mendoj se në seancën e sotme apo të javë tjetër në seancë qeveritare do ta kalojmë, ky draft që mori mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias, dhe do të del para deputetëve. Kështu që ne nuk kemi qëllim si qeveri absolutisht të politizojmë diçka që është e drejtë kushtetuese e dikujt, këtu mos të keni mëdyshje. Tani ka parti politike opozitare, të cilat me obstruksione dhe me sajime përpiqen të japin polarizim në shoqëri, por ne sillemi ndryshe!”, pohoi Hristijan Mickoski, Kryeministër .

Përveç tjerash, ristrukturimi pritet që të shuaj SPB-Dibër dhe ta vej atë në kuadër të SPB-Ohër. Procesi i sistematizimit në Ministrinë e Brendshme është përcjellë me reagime të shumta opozitarja shqiptare e BDI-së, të cilët thonë se çdo ndryshim që prek strukturën dhe funksionimin e policisë lokale ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve, efikasitetin e shërbimeve dhe barazinë institucionale. Diku iu përgjigjur kritikave lidhur me emërimin e krye shefit në Ohër që mbulon edhe Strugën, Kërçovën dhe Dibrën, zëvendësministri Astrit Iseni tha ndonjëherë është problematike të gjejnë person adekuat, por shtoi se me sistematizimin e ri që do të bëhet do të kërkohet që sërish ai pozicion t’u takojë shqiptarëve.