Kërkohet fundi i luftës, plani i shtatë vendeve për Ngushticën e Hormuzit

Shtatë vende po përgatisin një plan për të “çliruar” Ngushticën e Hormuzit, duke përfshirë mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake. Qëllimi nuk është të marrin pjesë në luftë, por të mbrojnë transportin detar, sidomos anijet që transportojnë naftë.

Kjo ide vjen pas kërkesës së Donald Trump ndaj aleatëve për të ndihmuar trupat amerikane në Gjirin Persik. Një dokument i publikuar nga qeveria britanike, dhe i diskutuar në Bruksel, tregon se Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Kanadaja dhe Japonia kërkojnë që anijet të kenë “kalim të sigurt” dhe nuk përjashtojnë veprime konkrete, shkruan la Repubblica.

Italia kërkon që çdo operacion të bëhet pasi të përfundojnë bombardimet dhe nëse është e mundur, nën drejtimin e OKB-së. Megjithëse kjo nuk është e shkruar qartë në dokument.

Ndërsa, disa vende si Britania dhe Franca nuk e përjashtojnë ndërhyrjen edhe më herët. Presioni nga SHBA-të është i madh dhe për shkak të ndikimit në çmimet e naftës dhe gazit, asnjë vend nuk është tërhequr plotësisht.

Në dokument dënohen sulmet e Iranit ndaj anijeve tregtare dhe infrastrukturave civile, si dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit. Vendet shprehen të gatshme të ndihmojnë për të garantuar kalim të sigurt dhe të përgatisin një operacion të mundshëm.

Ende nuk dihet kur mund të ndodhë ky operacion. Mund të bëhet edhe para përfundimit të luftës dhe ndoshta pa përfshirjen e OKB-së. Thirrja ndaj Iranit për të ndalur kërcënimet shihet si një paralajmërim për veprime më konkrete.

Liderët evropianë kanë diskutuar për këtë plan edhe me NATO-n. Disa vende, si Franca dhe Britania, po shohin mundësinë e dërgimit të anijeve dhe avionëve për të mbrojtur anijet tregtare. Ideja është që çdo vend të kontribuojë me të paktën një anije ushtarake.

Ndërkohë, Macron i ka kërkuar Trump të ndalë sulmet ndaj infrastrukturave civile dhe ka bërë thirrje për një armëpushim. Edhe kancelari gjerman Merz ka thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë, por vetëm pasi të ndalen luftimet.

Qëllimi kryesor i këtij plani duket të jetë edhe ruajtja e marrëdhënieve me SHBA-të. Nga ana tjetër, NATO thekson se Ngushtica e Hormuzit nuk mund të qëndrojë e mbyllur. Megjithatë, Bashkimi Evropian e konsideron të paligjshëm sulmin izraelito-amerikan.

© SYRI.net