Partitë politike në Maqedoni urojnë besimtarët muslimanë për festën e Bajramit

Partitë politike në Maqedoni kanë dërguar mesazhe urimi për festën e Fitër Bajramit.
VLEN në mesazhin e saj thotë se “pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi, kjo festë vjen si një kujtesë e fuqishme për vlerat që na bashkojnë: solidaritetin, mëshirën, faljen dhe kujdesin për njëri-tjetrin”.
“Bajrami nuk është vetëm gëzim familjar, por edhe moment për të ndarë, për të ndihmuar dhe për të forcuar lidhjet mes njerëzve. Në këtë frymë, urojmë që çdo shtëpi të mbushet me paqe, shëndet dhe begati, ndërsa zemrat me mirëkuptim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për të gjithë. VLEN mbetet e përkushtuar për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më solidare dhe më të barabartë për çdo qytetar. Gëzuar Fitër Bajramin!”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.

VMRO-DPMNE uroi për shpresë dhe besim për një të nesërme më të mirë.

 

“Ramazan Bajrami është një kohë kur na kujtohen vlerat e vërteta, të cilat janë mirësia, bujaria dhe respekti për çdo person. Urojmë që këto vlera të na udhëheqin në jetën tonë të përditshme dhe të na ndihmojnë të krijojmë një shoqëri më të fortë dhe më humane. Le të vazhdojmë të ndërtojmë ura mirëkuptimi, të japim një dorë kur është më e nevojshme dhe të kultivojmë bashkimin që na bën më të fortë si komunitet. Urojmë që ditët e festave të jenë të mbushura me ngrohtësi, dashuri dhe momente të bukura me të dashurit tanë”, thuhet në urimin e VMRO-së.

Menduh Thaçi nga PDSH gjithashtu dërgoi urime me rastin e festës.

“Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, me rastin e festës së Fitër Bajramit, ju përcjell urimet më të sinqerta për paqe, shëndet dhe begati në familjet tuaja. Kjo festë e shenjtë le të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin, duke forcuar vlerat e solidaritetit, mirëkuptimit dhe humanizmit. Uroj që gëzimi i kësaj dite të mbushë zemrat tuaja dhe të sjellë harmoni në çdo shtëpi.
Gëzuar Fitër Bajramin!”, ka shkruar kryetari Thaçi në rrjetet sociale.