Çmimi i naftës është rritur në nivelin më të lartë që nga korriku i vitit 2022 të dielën në mbrëmje, pasi administrata Trump sugjeroi se lufta me Iranin mund të zgjasë edhe disa javë, ndërkaq vetë presidenti i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për cisternat e naftës.
Standardi global i naftës brent është rritur me 2.9% në rreth 106.12 dollarë për fuçi. Nafta amerikane është rritur me 2.6% në 101.53 dollarë.
Lufta e udhëhequr nga SHBA-ja dhe Izraeli në Iran tani ka hyrë në javën e saj të tretë, duke shkaktuar ndërprerjen më të madhe të furnizimit me naftë në histori.
Ngushtica e Hormuzit, rruga ujore jetike e kontrolluar nga Irani, është mbyllur praktikisht për kalimin e cisternave të naftës që nga fillimi i luftës. Rreth 20% e furnizimit botëror me naftë kalon përmes këtij kalimi të ngushtë.
Administrata e Trumpit ka tentuar vazhdimisht të qetësojë shqetësimet lidhur me rrjedhën e transportit detar. Trumpi ka thënë se SHBA-ja do të dërgojë forca detare për të shoqëruar dhe mbrojtur cisternat e naftës teksa ato udhëtojnë jashtë Lindjes së Mesme.
Por administrata së fundmi ka pranuar se mund të duhen javë para se marina të jetë gati të fillojë këtë operacion.
Trumpi, të shtunën, në një postim në Truth Social, u ka kërkuar vendeve të tjera të ndihmojnë në koordinimin e rihapjes së ngushticës për të rikthyer rrjedhën e naftës, “në mënyrë që gjithçka të shkojë shpejt, pa probleme dhe mirë”. Ndërkaq të hënën, ai ka lëshuar një paralajmërim për vendet e NATO-s të cilat nuk ndihmojnë në këtë drejtim.
Të dielën e kaluar, nafta ka arritur pothuajse në 120 dollarë për fuçi para se të stabilizohej në rreth 100 dollarë gjatë ditës së hënë.
Irani ka rritur presionin, duke vendosur mina në Ngushticën e Hormuzit dhe duke thënë se do të godasë çdo infrastrukturë nafte dhe gazi të lidhur me SHBA-në. Disa cisterna janë goditur në këtë ngushticë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.



