Hamasi i drejtohet Iranit: Mos i sulmoni vendet fqinje

Grupi palestinez ushtaro-politik Hamas ka bërë një thirrje të papritur ndaj Iranit, duke kërkuar që të ndalë sulmet ndaj vendeve fqinje.

Ky apel vjen pas një përshkallëzimi të tensioneve rajonale, të cilat filluan kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen sulme ndaj Iranit.

Në një deklaratë zyrtare, Hamas theksoi se, megjithëse Irani ka të drejtën të përgjigjet ndaj agresionit, çdo veprim duhet të respektojë normat dhe ligjet ndërkombëtare. Lëvizja e ka quajtur veprim të nevojshëm që iranianët të shmangin sulmet që mund të përshkallëzojnë konfliktin në rajon dhe të dëmtojnë vendet fqinje, shkruan timesofisrael.

Hamas ka qenë gjithmonë një mbështetës i fortë i Iranit dhe ka vlerësuar rolin e tij në politikën dhe rezistencën rajonale. Megjithatë, ky qëndrim i ri tregon një qasje më të matur ndaj tensioneve ndërkombëtare dhe një përpjekje për të parandaluar përhapjen e konfliktit jashtë kufijve të drejtpërdrejtë.

Kjo nuk është hera e parë që grupi palestinez komenton mbi ngjarjet në Iran. Pak më parë, Hamas kishte dënuar vrasjen e liderit suprem iranian, Ali Khamenei, duke e quajtur atë një “krim të neveritshëm”. Pas këtij incidenti, grupi shprehu mirënjohjen për kontributin e Khameneit, duke theksuar se ai kishte ofruar mbështetje politike, diplomatike dhe ushtarake për popullin palestinez, kauzën e tyre dhe rezistencën në rajon.

Sipas raporteve ndërkombëtare, tensionet arritën kulmin më 28 shkurt të këtij viti, kur Izraeli dhe SHBA-ja kryen sulmet e para ajrore mbi Iranin. Përgjigja e Iranit ishte e menjëhershme dhe e ashpër, duke goditur bazat amerikane në rajon dhe duke përdorur raketa dhe dronë që shkuan deri në hapësirën ajrore të më shumë se 10 vendeve të ndryshme.

Këto veprime kanë shqetësuar komunitetin ndërkombëtar dhe kanë rritur shqetësimet për një konflikt më të gjerë rajonal.

Deklarata e fundit e Hamasit tregon një përpjekje për të ndarë qëndrimin e tyre ndaj mbështetjes për Iranin, duke ruajtur një linjë të kujdesshme politike që synon të shmangë një përshkallëzim më të madh të tensioneve në Lindjen e Mesme.