Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi për investime të konsiderueshme në modernizimin e Ushtrisë së Kosovës gjatë pjesëmarrjes në Panairin e Industrisë së Mbrojtjes BEDEX 2026 në Bruksel.
Maqedonci tha se gjatë katër viteve të ardhshme janë planifikuar investime mbi 1 miliard euro për avancimin e kapaciteteve luftarake, ndërtimin e infrastrukturës së re mbrojtëse dhe zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
“Ministria e Mbrojtjes është e përkushtuar për të përshpejtuar modernizimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse përmes investimeve strategjike”, deklaroi Maqedonci në një postim në Facebook.
Sipas ministrit, në një mjedis të ri sigurie në Evropë, Kosova synon të kontribuojë jo vetëm në forcimin e mbrojtjes së saj kombëtare, por edhe në sigurinë rajonale dhe euroatlantike, duke thelluar bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.
Gjatë panairit, Maqedonci zhvilloi takime me Gjeneral Frederik Vansina, si dhe me përfaqësues të kompanive të industrisë së mbrojtjes për të diskutuar mundësitë e furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me sisteme dhe pajisje moderne.
Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëprodhimit dhe investimeve në zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
Maqedonci vlerësoi se panaire si BEDEX 2026 janë platforma kyçe për ndërtimin e partneriteteve afatgjata, qasjen në teknologjitë më të avancuara dhe përforcimin e kapaciteteve të Ushtrisë së Kosovës.
Investimet e planifikuara synojnë kontribuimin në një të ardhme më të sigurt për vendin dhe rajonin, tha ai.



