Abdixhiku ia kthen përgjigjen Kurtit: Takohemi pas verdiktit të Kushtetueses

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abduxhiku, ka njoftuar se ka marrë ftesë për takim nga Kryeministri dhe kreu i VV’së, Albin Kurti, për të cilën ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit deri më 31 mars, ashtu që Presidentes dhe Kuvendit u ndalohet çdo veprim deri sa masa të jetë në fuqi.

Abdixhiku ka bërë thirrje që të pritet vendimi i Kushtetueses, duke shtuar se një orë pas verdiktit, mund të takohen sërish.

“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj. Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund. Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka shkruar Abdixhiku.