Rama flet pas rrëzimit të kërkesës së SPAK për Ballukun: Nuk përmbushte kriteret minimale

Kryeministri shqiptar Edi Rama iu përgjigj kritikave se vendimi për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku po pengon Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në një konferencë për shtyp, Rama tha se reagimet e djeshme ishin të deformuara dhe të shëmtuara.

“Do ta nis nga vendimi i djeshëm i Parlamentit për jehonën tërësisht të deformuar që iu dha atij vendimi. Ju me siguri e keni ndjekur të gjithë rrjedhën e ditës, keni ndjekur edhe prononcimin tim, që dua ta përsëris që lidhet me të vërtetën e madhe që kërkesa e Prokurorisë nuk i përmbushte as kushtet minimale për tu marrë në konsideratë.

“Përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo për t’i dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do të pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi, apo do pengojë drejtësinë, është përpjekje e shëmtuar, madje në dëshpërimin e vet ka të gjithë ingredientët që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet” – u shpreh Rama, raporton TCh, transmeton Klankosova.tv.