Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrës së Tregut të Gjelbër në Mitrovicë.
Përmes një postimi nga Presidenca, Osmani theksoi se 13 marsi është një nga datat që Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë.
“13 Marsi është një nga datat, të cilën Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë. Në këtë ditë përkujtojmë viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, ku më 13 mars 1999, nga granatat e forcave të regjimit gjenocidal serb, u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha vetëm 5 deri në 65 vjeç. Në këtë akt makabër u plagosën 128 qytetarë të tjerë: fëmijë, gra, pleq e të rinj, të cilët u përballën me barbarinë e një regjimi kriminal. Masakra e Tregut të Gjelbër mbetet dëshmi e dhimbshme e krimeve mizore të kryera gjatë luftës në Kosovë. Përulemi me respekt para viktimave, ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe riafirmojmë thirrjen për drejtësi”, thuhet në postim. /Klankosova.tv



