Kreu i ASH-së Ziadin Sela, ka reaguar sot ndaj vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, për të mos marrë në shqyrtim nismat rreth sistemit “Safe City”. Ai ishte njëri nga iniciuesit e nismave në Kushtetuese.
Sipas Selës, vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese është vetëm edhe një dëshmi shtesë, pas shumë rasteve të ngjashme të mbivotimit etnik dhe vendimeve të padrejta të cilat sillen sipas vullnetit personal të shumicës së gjykatësve maqedonas, e që majorizojnë shqiptarët dhe të gjitha bashkësitë e tjera etnike në vend”.
Në reagimin e ASH-së thuhet se ky rast vetëm se konfirmoi nevojën urgjente për vendosjen e parimit të Badenterit gjatë votimit të ligjeve që sillen me Badenter në Kuvend, ose ligjeve dhe dispozitave të tjera që prekin të drejtat dhe barazinë e bashkësive etnike në vend.
“Ju bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike shqiptare në veçanti, që urgjentisht të ndërmarrim veprime konkrete për arritjen e këtij mekanizmi shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, të cilat rrezikohen nga institucioni më i lartë kushtetues, prej ku më pas nuk ekzistojnë rrugë dhe mekanizma të tjerë për ankesa dhe kthim prapa të vendimit. Si parti politike dënojmë ashpër edhe deklaratat e kreut të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe dhe të drejtat e qytetarëve të cilat shkelen me projektin “Safe City”, që më shumë tingëllonin si opinione personale sesa si interpretime kushtetuese e juridike”. deklaruan nga ASH./Alsat.mk.
Gazetare: Fatlume Dervishi


