Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një komunikate kërkon dorëheqjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, transmeton TV21. Nga BDI theksojnë se deklaratat e Kostadinovskit janë të papranueshme. Tutje siç thonë nga BDI në dy vitet e fundit Kostadinovski ka dëshmuar se Kushtetuesja është shndërruar në mjet politik për të minuar çdo arritje që buron nga Marrëveshja e Ohrit.
Kumtesa e plotë e BDI-së.
Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj deklaratave skandaloze dhe të papranueshme të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski. Me qëndrimet e tij të djeshme dhe me një seri vendimesh gjatë dy viteve të fundit, ai ka dëshmuar se ky institucion është shndërruar në një mjet politik për të minuar çdo arritje që buron nga Marrëveshja e Ohrit.
Deklaratat e tij për çështjen e projektit “Safe City”, sipas të cilave porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në maqedonisht, ndërkohë që mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në shqip, përbëjnë një akt të hapur diskriminimi dhe një shkelje të rëndë të frymës dhe të vetë Kushtetutës së shtetit. Me këtë veprim, kryetari i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm që tejkalon kompetencat e tij, por ndërhyn brutalisht në rendin juridik dhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend.
Edhe një herë u dëshmua se gjyqtarët shqiptarë dhe ai turk në këtë gjykatë u mbivotuan, duke rikthyer praktika që i kujtojnë opinionit publik kohët më të errëta të viteve të nëntëdhjeta.
BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Darko Kostadinovskit dhe të çdo gjyqtari që ndan të njëjtat qëndrime diskriminuese për këto dy vite me majorizim. Përndryshe, prej sot e tutje ai do të mbajë përgjegjësi të plotë për çdo pasojë që mund të prodhohet në planin e marrëdhënieve ndëretnike. Ne do të veprojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi për këto qëndrime, të cilat nuk janë të rastësishme dhe as të sotme, por janë ndërtuar sistematikisht gjatë dy viteve të fundit.
Sjellja e tij përfaqëson shembullin klasik të një ushtari partiak që është i gatshëm të vërë në flakë një shtet të tërë për interesa të ngushta.
Prandaj e pyesim publikisht:
A ia vlen të ndezësh shtetin vetëm e vetëm që bashkëshortja juaj të avancohet nga gjykata themelore në gjykatën e apelit?
A ia vlen të rrënosh shtetin dhe Kushtetutën vetëm që, pasi të përfundojë mandati juaj, të gjeni strehim akademik si profesor në Universiteti Goce Dellçev, ndërkohë që në universitetin e Shkupit ju janë mbyllur dyert?
A flini i qetë me gjithë këto shkelje që burojnë nga keqpërdorimi i pozitës suaj zyrtare?
Mbaje mend, Kostadinovski: për këto veprime do të përgjigjesh – herët a vonë, por do të përgjigjesh.
Bashkëpërgjegjës për këto veprime antikushtetuese dhe antiligjore të Kostadinovskit dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese është edhe VREDI, të cilët janë pa takat e pa zë. Përgjegjësisë nuk do të mund t’i ikni.
BDI mbetet e vendosur në mbrojtje të rendit kushtetues, të barazisë dhe të frymës së bashkëjetesës në vend. Çdo përpjekje për të cenuar këto parime do të marrë përgjigjen e duhur politike dhe demokratike.







