Nga mungesa e sinjaleve të rrugës një veturë mbrëmë ra nga autostrada në Bllacë në segmentin e 2 kilometrave që nuk të çojnë askund.
Gjithçka ndodh kur sapo e kalon pikën kufitare, rruga që të çon drejt Shkupit ndahet në dy segmente, por kjo rrugë në të majtë në fakt nuk ka asnjë dalje. Por për këtë nuk ka asnjë shenjë sinjalizuese as në fillim, e as në mes të saj kur ka një ndarje tjetër të rrugëve.
Si pasojë, makinat futen këtu dhe shkojnë deri në fund, ku i pret një pirg dheu dhe gurësh. Pastaj janë të detyruara të kthehen para, por disa edhe e kanë pësuar, si rasti i mbrëmshëm kur një makinë përfundoi prapa pirgut të dheut duke rënë poshtë.
“Kjo është pika ku mbyllen këto 2 kilometrat, këtu pranë meje shihen disa pjesë të veturave, një retrovizor i thyer dhe më andej ishin disa shenja ku veturat kanë tentuar të frenojnë, pasi që këtu nuk ka dalje dhe mund të bien në humnerë”, raporton gazetarja e TV21, Fazile Halili.
Pas ngjarjes së mbrëmshme për të cilën mësoi TV21, tani e vetmja shenjë paralajmëruese se rruga nuk ka fund, por mund të përfundosh poshtë, janë këto objekte të gjetura aty pranë që i kishin vendosur qytetarët.
Se pse nuk ka shenja të vendosura, kërkuam përgjigje nga NP “Rrugët Shtetërore”, por deri në këtë edicion të lajmeve nuk u përgjigjën.
Ndryshe, punimet për këtë autostradë pritej të fillonin gjatë festave të fundvitit, por zëvendësministrja e transportit tha se ka mbaruar procedura e tenderimit dhe se po pritet përgjigje nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një pjesë të kredisë. /TV21



