Këshilli i Shteteve në Zvicër dëshiron ta zgjasë deri në vitin 2029 misionin e “Swisscoy”, në të cilin marrin pjesë pjesëtarë të ushtrisë zvicerane në Kosovë. Të martën ai miratoi vendimin përkatës federal me 37 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime.
Që nga tetori i vitit 1999, ushtria zvicerane merr pjesë me kontingjentin e saj Swisscoy, në misionin ndërkombëtar paqeruajtës KFOR të NATO-s në Kosovë. Aktualisht numri maksimal i ushtarëve zviceranë në këtë mision është 215. Mandati aktual skadon në fund të vitit 2026.
Këshilli Federal i ka kërkuar parlamentit zviceran që mandati të zgjatet deri në fund të vitit 2029, duke mbajtur të njëjtin numër trupash. Megjithatë, ai dëshiron të ketë kompetencën që ta rrisë këtë numër deri në 30 persona shtesë në rast se përkeqësohet situata e sigurisë dhe KFOR-i kërkon përforcime.
Aktualisht situata është e qetë, tha ministri i Mbrojtjes Martin Pfister. Megjithatë ajo mbetet e paqëndrueshme, sidomos në veri të Kosovës, ku tensionet ndërmjet komuniteteve etnike vazhdojnë.
“Në vitin 2023, incidente të rënda të sigurisë e shtynë NATO-n që ta përforcojë KFOR-in dy herë. NATO dhe vendet pjesëmarrëse janë të mendimit se KFOR-i duhet të qëndrojë në Kosovë derisa marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të normalizohen. Sipas ligjit, pjesëmarrja e Swisscoy duhet të miratohet nga parlamenti. Pas Këshillit të Shteteve, tani radha i takon Këshillit Kombëtar.
Buxheti për deri në 215 pjesëtarë të ushtrisë arrin në 48.9 milionë franga zvicerane. Nëse do të nevojitej një rritje e numrit të trupave, kostot shtesë do të mbuloheshin nga buxheti i Departamentit të Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare te parlamentit zviceran.



