Nuk u votua rendi i ditës, nuk pati debat mbi ndryshimet në ligjin për TVSH-në

Publiku, kryesisht bizneset mikro dhe të vogla, por edhe të gjithë qytetarët që kanë të ardhura shtesë mbi 2.000.000 denarë, sot nuk mundën në seancën e Komisionit për Financim dhe Buxhet të dëgjojnë argumentet e opozitës, Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës, përse ky prag duhet të rritet.

Aleanca u përpoq të propozojë që kjo shumë të lidhet me pagën minimale, domethënë të përcaktohet në 138 paga minimale. Kjo do të thoshte se në këtë moment kufiri do të ishte mbi 3,6 milion denarë. Nuk pati debat për këtë propozim, sepse deputetët e shumicës qeverisëse nuk votuan për rendin e ditës.

Për Ilire Dautin nga Aleanca, kjo vetëm tregon mosfunksionimin e Kuvendit.

“Por sinqerisht iu drejtohem: A nuk ju vjen turp? A nuk ju vjen turp të silleni kështu ndaj 165.000 të punësuarve në ndërmarrjet mikro? Unë vërtet prisja që këto dy propozim-ligje, por edhe të tjera, të vijnë nga ju, sepse nuk mund të silleni sikur nuk e dini që për të njëjtën sasi buke sot duhen më shumë para se në vitin 2020. Nuk mund të silleni sikur nuk e dini që për një kilogram mish sot duhen 120% më shumë para se në vitin 2020.”

Për deputetin e OBRM-PDUKM-së, Bojan Stojanovski, mosvotimi i rendit të ditës nuk është precedent, por një opsion që ekziston me rregulloren e re. Këtë e konfirmoi edhe kolegia e tij nga LSDM dhe kryetare e Komisionit, Sanja Lukarevska, e cila shtoi se me mosvotimin e rendit të ditës, ndryshimet e propozuara të dy ligjeve, për TVSH-në dhe Ligjin për fitimin, nuk do të gjenden në rendin e ditës së seancës plenare. Ndryshe, këta dy deputetë, në një përgjigje të përbashkët për pyetjen e gazetarëve pse nga viti 2020 deri tani, kur partitë e tyre ishin në pushtet, edhe pse në programet e tyre shkruhej rritja e pragut për detyrimin e TVSH-së, nuk e bënë atë.

“Sepse jemi në një situatë ekonomike komplekse, të cilën pas analizimit, dhe kjo ishte premtim që duhet të implementohet gjatë gjithë mandatit katërvjeçar, në momentin kur institucioni të stabilizohet, Administrata për të Ardhurat Publike padyshim do të fillojë përmbushjen e këtij premtimi ndaj qytetarëve”, tha Bojan Stojanovski nga OBRM-PDUKM.

“Megjithatë, le të mos harrojmë që kemi pasur disa kriza që kryesisht kanë shkaktuar lëvizje ekonomike të nevojshme dhe ndoshta për këto arsye nuk arritëm të realizojmë rritjen e kufirit, edhe pse në biseda me të gjitha palët e përfshira, komuniteti i biznesit, dhomat, personat juridikë, ky vendim ligjor, mendoj se duhet të shohë dritën e ditës“, tha Sanja Llukarevska nga LSDM.

Ndryshe, nga Aleanca, në paketë me ndryshimet e Ligjit për TVSH-në, kërkuan edhe ndryshime të Ligjit për tatimin mbi fitimin, ky prag do të rritet në katër milion denarë, duke lehtësuar shumë kompanitë e vogla në kohë krizash.