Dhjetëra denoncime e dëshmi për dhunën sistematike ndaj 31-vjeçares, heshtje institucionale

Dëshmitarët rrëfejnë që tmerrin që e ka përjetuar 31-vjeçarja nga ana e bashkëshortit të saj. Njëra ndër fiqnjet tregon se dhuna fizike disamujore zhvillohej pa zgjedhur kohë dhe vend. Tanja Spirovska, fqinje tregon për “sloboden Peçat” se në një rast e kishin kërcënuar atë pse kishte bërë denoncimin

“Në shtatë–tetë muajt e fundit ka pasur denoncime, mes tyre edhe nga unë. Ua kam dorëzuar denoncimet dhe numrat e telefonit, dhe u është thënë lirisht të veprojnë. Ka deklarata nga fqinjët dhe nga administrator, ai e ka rrahur madje edhe në ashensor. Dje erdhi një fqinj dhe tregoi se para dy muajsh e ka rrahur para ndërtesës, e pastaj edhe në ashensor. Pra, nuk zgjidhej as vendi e as koha. Ajo ishte e qetë dhe e heshtur, zëri pothuajse nuk i dëgjohej. Kur dilte, nga frika prej tij shikonte në tokë”, deklaroi Tanja Spirovska, fqinje e nënës dhe fëmijës së ndjerë.

Aleksandar Stojanoski, vëllai dhe daja i viktimave, reagoi në rrjetet sociale duke zbuluar se motra dhe mbesa e tij për vite me radhë kishin duruar dhunë të tmerrshme familjare nga partneri dhe babai i vajzës.

“Sot dështoi MPB-ja, shërbimet sociale, sot dështoi i gjithë sistemi ynë… Pas vite me radhë denoncime për dhunë familjare, dhunë fizike dhe psikike ndaj të dyjave, kërcënimeve, kallëzimeve, tentativës për vrasje në mes të një institucioni shtetëror, humba mbesën dhe motrën. Shteti lejoi të shuhen jetë të reja, ju lutem mos spekuloni për atë që ka ndodhur, askush nuk do të m’i kthejë më të dashurit e mi, por drejtësia do të duhet të shkojë deri në fund dhe nuk do të ndalemi derisa kjo të ndodhë!“, tha Aleksandar Stojanoski, vëllai dhe daja i viktimave.

Nga Ministria e Politikës Sociale paralajmëruan inspektim në Qendrën për Punë Sociale në Shkup ku tashmë e ndjera kishte paraqitur padinë e divorcit dhe ku kishte dosje viktima.

Nga Prokuroria thonë se një person është ndaluar në stacion policor, ndërsa nëna dhe vajza kanë qenë vetëm dhe të mbyllura në banesë në momentin e tragjedisë. Shtojnë se është urdhëruar autopsi e trupave. /Alsat.mk