Në RMV u hap mundësia për të gjitha kompanitë në projektin e inverterëve për familjet në nevojë

Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve ka shpallur Thirrjen Publike për të gjitha kompanitë që të përfshihen në luftën kundër varfërisë energjetike, projekt i cili mundëson kondicionerë inverter për familjet e cenueshme, transmeton Portalb.mk.

“Qëllimi kryesor i thirrjes publike është sigurimi i mbështetjes direkte për familjet që bëjnë pjesë në kategorinë e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë, përmes ndarjes së kuponëve (vauçerë) për blerjen dhe instalimin e kondicionerëve inverter me efikasitet të lartë. Programi parashikon që çdo familje që do të përfitojë kupon të mund të blejë dhe instalojë një kondicioner inverter me efikasitet të lartë në vlerë deri në 28.000 denarë”, raportoi Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale.

Këtu mund të aplikojnë kompanitë që janë të regjistruara si subjekte juridike në RMV, ndërsa vauçerët e qytetarëve do të mund të shfrytëzohen vetëm te këto kompanitë.

“Kompanitë e përzgjedhura do të kenë detyrim të sigurojnë pajisje me klasë energjetike jo më të ulët se A+, instalimin e tyre në adresën e përfituesit, si dhe garanci prej së paku dy vjetësh, pa kosto shtesë për qytetarët”, sqaroi Ministria, duke vlerësuar se kjo do të krijojë ngrohje më ekonomike.

Kompanitë kanë mundësi të aplikojnë deri më 8 mars.

“Pas përfundimit të procedurës sipas thirrjes publike dhe pas publikimit të listës së kompanive me të cilat Ministria do të lidhë kontratë, njëkohësisht do të publikohen edhe listat e personave që kanë fituar të drejtën për shfrytëzimin e këtij subvencioni”, sqaroi Ministria.