Rrjeti serb i trafikut të drogës nga Krushevci ka depërtuar në biznesin legal të kanabisit në Maqedoni shumë më thellë sesa tregojnë gjetjet e publikuara deri tani nga hetimet në lidhje me transportin e paligjshëm të pesë tonëve marihuanë drejt fqinjit verior, zbulon BIRN.
Përveç firmave tashmë të njohura hulumtimi ynë identifikoi edhe kompani të tjera të ligjshme të kultivimit të kanabisit me të cilat grupi ka pasur një lidhje direkte ose indirekte, gjë që zgjeron më tej ndikimin e tyre në këtë sektor.
Ky hulumtim identifikon më shumë kompani legale të kultivimit të kanabisit me të cilat grupi ka pasur lidhje direkte ose indirekte
Informacionet tona nga terreni dhe bisedat me njerëz që kanë pasur kontakt me grupin tregojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për operacione lokale, domethënë se rrjeti graviton rreth njerëzve me interesa biznesi që shtrihen përtej Ballkanit.
Rasti i fundit vetëm sa konfirmon kontrollin e dobët dhe mangësitë e sistemit për të cilat BIRN ka shkruar disa herë, se si biznesi i marihuanës është një magnet për investitorët, shpesh me të kaluar kriminale, në kërkim të një fitimi të shpejtë.
Euforia rreth këtij biznesi relativisht të ri dhe jashtëzakonisht fitimprurës, shoqëruar me njohuritë e kufizuara të kultivimit ligjor dhe kontrollin e dobët të shtetit, ka rezultuar në sasi të mëdha lulesh me cilësi të ulët për tregun farmaceutik dhe pre të lakmueshme për lojtarët e tregut të zi.
Kompani të reja të lidhura me grupin
Kompania e Shkupit “Alfafarm”, e cila është në qendër të skandalit, ka shtatë themelues, por dy janë interesant për këtë tekst: Ivan Dragniq nga Krushevci i Serbisë dhe shtetasi i Maqedonisë Dragan Krstev. BIRN tregon se këta të dy për një periudhë të caktuar kanë qenë veçmas në strukturat menaxhuese edhe të kompanive të tjera maqedonase të kanabisit, të cilat për momentin nuk përmenden në njoftimet zyrtare për hetimet.
Anëtari i grupit të kontrabandës Ivan Dragniq, i cili, sipas prokurorisë serbe dyshohet se e ka pranuar marihuanën në territorin serb, deri para tre muajsh ka qenë drejtor i një kompanie krejtësisht tjetër për kultivimin e kanabisit mjekësor, “Lighting Lux” Strumicë.

Është interesant fakti se këtë kompani VMRO-DPMNE-ja, edhe si parti opozitare edhe si parti në pushtet, e lidhte me njerëz të ish-kreut politik të LSDM-së.
Alfafarm, e cila është në qendër të skandalit, ka shtatë themelues, por dy janë interesantë për këtë tekst: Ivan Dragniq nga Krushevci i Serbisë dhe Dragan Krstev nga Maqedonia.
Në maj të vitit 2024, Sllavica Koteva nga Strumica dhe partneri i saj në biznes, holandezi Theodorus Petrus Bernardus Wouters, emëruan Dragniqin si menaxher në “Lighting Lux”.
BIRN kontaktoi Kotevën të martën për të marrë më shumë informacion se si Dragniq u bë menaxher, por ajo e ndërpreu bisedën me shqetësim, duke premtuar se do t’u përgjigjej pyetjeve tona më vonë gjatë ditës. Kjo gjë nuk ndodhi.
Pas gati një viti e gjysmë menaxhimi, në nëntor të vitit 2025 partnerët Koteva dhe Vouters vendosin të shkarkojnë Dragniqin.
Nëse dihet pak për rolin e tij në Strumicë, tani megjithatë kemi disi më shumë informacione për aktivitetet e tij paralele në kompaninë tashmë të inkriminuar “Alfafarm” që gjendet në “Ohis” të Shkupit, ku sipas prokurorisë serbe ka filluar kontrabanda.
Sipas dokumenteve nga Regjistri Qendror, në të cilat BIRN kishte qasje, Dragniq, për një periudhë të caktuar kohore ka injektuar kapital në kompaninë e tij “Alfafarm” përmes një banke italiane nga Beogradi. Në vitin 2025, ai ka transferuar disa herë nga më pak se 15.000 euro në kapitalin themelues. Në të njëjtën periudhë, të gjithë themeluesit e kësaj kompanie kanë sjellë kapital shtesë, i cili përfundimisht është rritur në gati 530,000 euro.
Tani llogaria e “Alfafarm” është bllokuar pas hetimeve të prokurorisë serbe dhe asaj maqedonase.
Dragniq është në paraburgim në Serbi.
Të njëjtët persona në disa kompani
Bie në sy edhe emri i tridhjetë vjeçarit nga Shkupi Dragan Krstev, i cili për një periudhë të caktuar ka qenë në strukturat pronësore apo menaxhuese të tre kompanive që merren me kanabis.
Ai ka hyrë për herë të parë në këtë biznes në vitin 2022, si menaxher i “Green Life” pronarë të së cilës, siç shkruan BIRN, janë Aleksandar Mijajlloviq, i dyshuari i parë në Serbi për kontrabandë marihuanë dhe njëfarë Ognen Nikoliq, po ashtu nga Krushevci.
Më pak se një muaj pasi u shkarkua nga pozita e menaxherit, në vitin 2023, Krstev bëhet një nga themeluesit e “Alfafarm”. Por ai nuk qëndron gjatë atje, sepse në verën e vitit 2024, një përmbarues i konfiskon pjesën e tij në kompaninë e marihuanës në Shkup.
Nga policia maqedonase për BIRN thonë se hetimi do të jetë i gjerë dhe do të zgjasë disa muaj… Nuk përjashtohet mundësia që grupi të ketë pasur interesa biznesi edhe në vende më të largëta evropiane.
Në ndërkohë Krstev bëhet menaxher i një kompanie tjetër me licencë për kanabis – kompanisë në Shkup, e cila nuk është përmendur deri tani në informacionet rreth hetimeve, “RSB Solution”, kapaciteti kultivues i së cilës ndodhej në Karbinci të Shtipit.
Krstev hyn në të në prill të vitit 2024, këtë herë si shtetas serb me pasaportë të fqinjit verior.
Por disa muaj më vonë, qeveria vendos t’i heqë licencën e punës dhe Krstev largohet nga pozita e në maj të vitit të kaluar.
Ai zotëron një kompani në Maltë, ku burime për BIRN pohojnë edhe se jeton. Të njëjtat burime pohojnë se me të kanë pasur takime edhe në Shkup, ku ai është interesuar për biznes me biznesmenët serbë edhe para se të fillonin punët me “Alfafarm”.
BIRN u përpoq të kontaktonte edhe me të, por ai nuk iu përgjigj mesazhit tonë.
Rrjet i zgjeruar
Se ky grup ka posedim të thellë të biznesit të marihuanës në vend tregon edhe zbulimi ynë, se njeriu që sipas prokurorisë serbe ka qenë në krye të piramidës së grupit nga Krushevci, Aleksandar Mijajlloviq, është bashkëpronar i kompanisë në Vallandovë për kultivimin e kanabisit “Green Life”.
Qeveria e Maqedonisë të martën ia hoqi licencën kësaj kompanie për shkak të mungesës së konstatuar të lules së tharë dhe paketimit joadekuat të lules së tharë në dhomën e sigurt. Por, të njëjtën ditë pasdite nga MPB-ja konfirmuan se kanë hyrë në objektet prodhuese të kompanisë në Josifovo dhe prej andej kanë konfiskuar një ton marihuanë.

Në fakt Mijajlloviq ka hyrë në këtë kompani si bashkëpronar i kompanisë serbe “Bionaturals”, në të cilën është së bashku me Ognen Nikoliqin.
BIRN ka shkruar disa herë se si biznesi i marihuanës është magnet për investitorët, shpesh me të kaluar kriminale, në kërkim të një fitimi të shpejtë.
Nga ana tjetër, Nikoliq, sipas kontrolleve të bëra nga BIRN ka një kompani në Barcelonë të Spanjës, e cila merret me tregtimin e luleve, bimëve, plehrave e të tjera. Ai është edhe pronar i diskotekës në Krushevc.
Hetimet e autoriteteve maqedonase dhe serbe tashmë janë duke u zhvilluar kryesisht rreth kontrabandës konkrete të paligjshme të pesë tonëve marihuanë, e cila nga Maqedonia ka arritur në Konjuh të Serbisë.
Prokuroria serbe thekson se organizator i grupit ka qenë Mijajlloviq, i cili më parë quhej Vuliqeviq dhe se ai e kishte urdhëruar Dragniqin që të siguronte marihuanë nga Maqedonia. Nga ana tjetër, Dragniq ka organizuar transportin me automjete mallrash për në Krushevc dhe, sipas prokurorisë maqedonase, punët këtu i ka organizuar pronari tjetër, Predrag Brkoviq.
Nga policia e Maqedonisë për BIRN thonë se hetimi se si kanë përfunduar pesë tonët marihuanë në Serbi do të jetë i gjerë dhe do të zgjasë disa muaj, mirëpo për shkak të fshehtësisë së procedurës nuk mund të japin më shumë detaje. Nuk përjashtohet mundësia që ky grup të ketë pasur interesat e veta biznesore edhe në vende të tjera më të largëta evropiane.
Për hetimin po bashkëpunojnë policia dhe prokuroria e dy vendeve fqinje dhe tashmë kanë pasur takime të drejtpërdrejta për të shkëmbyer informacione, të cilat do të ndihmonin në zbërthimin e rrjetit.
Nga ana tjetër, nga Prokuroria Publike e Serbisë për Krimin e Organizuar thanë për BIRN Serbia se kanë komunikim dhe shkëmbim të vazhdueshëm të të dhënave dhe se tashmë kanë vepruar “në bazë të një kërkese të një autoriteti kompetent gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Aktualisht atje po zhvillohet një hetim ndaj pesë personave dhe marihuana e sekuestruar mbahet në kushte të veçanta për të mos humbur cilësitë.
Pse na ndodhi kontrabanda?
Për kryeministrin Hristijan Mickoski dhe partinë e tij dera e krimit është hapur me rregulloren e vitit 2023 që lejon kultivimin e kanabisit në “hapësira të hapura që janë të mbrojtura nga moti”. Shpjegimi është se marihuana që rritet direkt nën diell nuk çka kërkon në tregun farmaceutik dhe se është e destinuar vetëm për tregun e zi.
Megjithatë, problemet me marihuanën mjekësore që digjet në qoshet e errëta të rrugëve janë më komplekse dhe më të vjetra dhe nuk janë adresuar as nga qeveria e mëparshme, e as nga garnitura e Mickoskit.
Kanabisi mund të kultivohet ligjërisht që nga viti 2016 dhe tentativat e para datojnë në atë kohë, por ethet e gjelbërta të biznesit i shkaktoi Zoran Zaev nga posti i kryeministrit, duke promovuar fuqishëm biznesin “me vlerë 250 milionë euro në vit”.
Maqedonia nuk ka ndërtuar një sistem serioz për mbikëqyrjen e plantacioneve të marihuanës dhe nuk ka pothuajse asnjë veting sigurie të personave që marrin leje për kultivim.
Nëse deri në vitin 2017 vetëm disa kompani kishin licenca për të kultivuar marihuanë, deri në vitin 2021 më shumë se 60 kompani morën leje, ndërkohë që gjysma e tyre tashmë po mbillnin këtë substancë psikotrope.
Problemi është se Maqedonia nuk ndërtoi një sistem serioz për mbikëqyrjen e plantacioneve të marihuanës në vitet e kaluara. Ajo detyrë i është besuar dhe i është lënë në dorëzim një komisioni pesë anëtarësh, i cili nuk është organ i përhershëm, por është formuar nga përfaqësues të disa institucioneve.
Një komision i tillë me staf të pamjaftueshëm ka shumë punë për të bërë. Përveç vlerësimit nëse kompanitë janë gati të mbjellin marihuanë, ai duhet të ketë qasje te zhvillimi i çdo bime të mbjellë dhe të kontrollojë kultivuesit dy herë në vit.
Vetingut thuajse inekzistent të sigurisë të personave që marrin leje për të kultivuar marihuanë duhet t’i shtohet edhe mekanizmi thuajse joekzistues i kontrollit.
Tre vjet më parë, BIRN dokumentoi si kultivues marihuana paraqiten se njerëz me histori në biznesin e drogës dhe pastrim parash, “detaje” të cilat me sa duket nuk kanë mjaftuar për t’i refuzuar dikujt licencën.
Zhvillimet e fundit janë një tjetër dëshmi se shteti dhe investitorët u hodhën në aventurën me marihuanën të papërgatitur, disa edhe pa njohuri elementare për dinamikën e biznesit dhe mundësitë e tij, prandaj disa pronarë plantacionesh robëruan miliona euro në lule marihuanë, me cilësi të pamjaftueshme për “të uriturin” treg farmaceutik, nga nga ana tjetër ideale për tregun e zi.
Ndryshe, Ministria e Brendshme më 7 shkurt, informoi se është duke u zhvilluar një aksion në shkallë të gjerë, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marihuane. Rreth nëntë ton marihuanë dhe mbi 1,300 shishe vaj kanabisi të prodhuar (gjysmëprodukt) u gjetën dhe u sekuestruan nga një person juridik në Shkup. Mbi 31 ton marihuanë dhe biomasë u sekuestruan nga persona juridikë në rajonin lindor.


