Berisha: Fishekzjarret tek vila e ish-diktatorit ishin kundër Edi Ramës, ishin një akt urrejtje

Kryetari i PD-së Sali Berisha komentoi hedhjen e fishekzjarreve të protestuesve drejt shtëpisë së ish dikatorit Enver Hoxha. Në një prononcim për median nga oborri i selisë PD, Berisha tha se fishekzjarret tek vila e ish-diktatorit ishin kundër Edi Ramës, ishin një akt urrejtje.

Zoti Berisha, a kishit ju dijeni që kishte artistë brenda ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha sepse nga rrjetet sociale ka pasur artistë të huaj që kanë publikuar pamje nga sulmi me molotov brenda vilës së ish-diktatorit Hoxha, e cila tashmë ka një funksion tjetër?

Sali Berisha: Tani do më falësh, të them të vërtetën, për trashëgiminë e Enver Hoxhës kam zero respekt dhe preokupim.
Por pyeta se çfarë ndodhi dhe më thanë se ca njerëz me kostume të murrme, me uniforma të agjentëve të policisë kriminale, u thonë protestuesve se këtu tani banon Edi Rama.
Dhe ata iu kthyen.
Pra, ato fishekzjarre që u hodhën aty ishin kundër Edi Ramës, urrejtje për Edi Ramën.
Në fakt Edi Rama nuk banonte aty, banonte tek vila e Mehmet Shehut se e sqarova.

Pra, nuk ka pasur një plan paraprak? Keni një ndjesë për ata artistë të huaj që kanë qenë aty?

Sali Berisha: Ç’punë kanë të huajt aty? Me asgjë në botë Edi Rama nuk retushon dot figurën e Hitlerit shqiptar të pasluftës.

Zoti Berisha, keni qenë për disa vite në pushtet, pse nuk e keni shembur atë vilë më herët?

Sali Berisha: Unë kisha planet e mia. Aty ku sot është Piramida, aty do ndërtohej parlamenti. Tek vila e diktatorit, territori është i privatëve dhe unë do ua ktheja privatëve atë.
Projekti për parlamentin u bë dhe ju mund të merrni kronikat tuaja t’i shihni.

Ngeli në letra për buxhetin e lartë?
Sali Berisha: Ajo nuk ngeli në letër për buxhetin e lartë se edhe buxhetin e siguroja. Isha i vendosur. Në qoftë se të kujtohet, u bë një takim në parlament me Edi Ramën, i cili bëri avokatinë njëlloj sikur ta kishte shtëpinë e të atit.
Por nuk ia mora për bazë dhe u bë konkurs ndërkombëtar për ndërtesën e parlamentit.
I keni të gjitha në kronikat e televizioneve.

© SYRI.net