Është përfshirë nga flakët ish-vila e diktatorit Enver Hoxha në zonën e ish-Bllokut. Protestuesit e opozitës e kanë sulmuar godinën me një breshëri molotovësh, 54 të tillë, ndërkohë që zjarri në godinë është shuar brenda pak minutash.
A2CNN raporton se gjatë sulmit me molotov ka pasur njerëz brenda vilës. Raportohet se ata janë larguar nga kati i parë i objektit drejt zonave më të sigurta në vilë.
Sulmi te ish-vila e diktatorit duket se e ka kapur të papërgatitur Policinë e Shtetit. Megjithatë, reagimi i efektivëve nuk mungoi, ku Forcat Speciale shpërndanë turmën përmes një autoboti me ujë.
Fill pas zjarrit në ish-vilën e diktatorit, kreu i PD Sali Berisha është larguar me makinë.
Më herët protestuesit tentuan të shkojnë te ndërtesa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, por efektivët ndërhynë me ujë dhe gaz lotsjellës duke shpërndarë marshimin e turmës.
Një protestues humbi ndjenjat nga hedhja e gazit lotsjellës dhe u transportua me ambulancë në spital.
Berisha ka folur nga selia e PD-së në mbyllje të protestës para Kryeministrisë, duke e konsideruar atë një fitore të opozitës.
Ai theksoi se përmes kësaj proteste i është dërguar një mesazh i shkëlqyer çdo shqiptari dhe një mesazh i madh për miqtë e Shqipërisë në Evropë dhe në botë.
“Tirana në tërë ekzistencën e saj nuk ka njohur një marshim triumfi si i sotmi. Kjo datë, 28 shkurti, do të gdhendet me germa të arta në historinë e kryengritjes paqësore të shqiptarëve kundër narko-shtetit. Për 3 orë, marshi juaj ishte marshi i fitores, marshi i shqiptarëve, i dinjitetit, i guximit, ishte mesazhi më i shkëlqyer që ju i dërguat çdo shqiptari, ishte mesazhi më i madh që u dërguar miqve tanë në Evropë dhe në botë, i kall tmerrin dhe datën narko-diktatorit Rama”.
“Në marshim e sipër, agjentë të infiltruar të policisë kriminale mashtruan kryengritësit, se në shtëpinë e diktatorit banon Rama, dhe bëri që ata t’i përvishen asaj banese”, tha Berisha.
“Korrëm një fitore tjetër sot. Arritëm një rekord të ri në protestën tonë, çka do të thotë se asgjë s’na ndal ne pa e hedhur Ramën aty ku e meriton, në koshin e plehrave të historisë”, shtoi ai.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka reaguar në rrjetin social “X” për protestën e opozitës.
“Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës”, shkruan Rama, duke postuar një foto nga bombardimi i Iranit dhe një tjetër nga molotovët në rrugët e kryeqytetit shqiptar.
Gjatë marshimit protestuesit kanë hedhur bomba molotov në kazanët e mbeturinave përgjatë rrugës. Efektivët kishin vendosur dy kordone policore përgjatë rrugës për te Drejtoria e Policisë.



