Rama e Vuçiqi me ide të përbashkët, anëtarësi të klasit të dytë në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nëpërmjet një opinioni të përbashkët për gazetën prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, kanë dalë me një ide të përbashkët për “rrugën realiste drejt Bashkimit Evropian”.

Në opinionin e tyre ata nuk kanë insistuar për pranim në Bashkimin Evropian, por kanë bërë thirrje për pranim të shteteve të tyre në tregun e përbashkët evropian dhe në zonën Schengen.

Në shkrim ata janë ankuar në moszgjerimin e BE-së që prej 2013-s. Kanë theksuar se realiteti është dekurajues. Duke theksuar se BE-ja duhet ta kuptojë që “në Ballkanin Perëndimor ndodhet një vijë e re e frontit për investime”, dy udhëheqësit kanë thënë se i kuptojnë shqetësimet brenda BE-së se “nëse ka më shumë anëtarë, mund të funksionojë ende në mënyrë efektive”.

“Shqetësimet për vendimmarrjen, balancën institucionale dhe kohezionin politik janë legjitime. Udhëheqës në Paris, Berlin dhe gjetkë kanë theksuar se mund të nevojiten reforma të brendshme të BE-së, në mënyrë që një BE e zgjeruar të mbetet e aftë të veprojë me vendosmëri. Ne nuk jemi naivë. Këto argumente kanë peshë”, kanë shkruar ata.

Rama e Vuçiqi kanë thënë se e kuptojnë që ekzistojnë dy qëllime; një që vendet anëtare kërkojnë rrugë realiste drejt anëtarësimit të plotë e tjetra se shtetet anëtare duan ta ruajnë aftësinë vepruese dhe unitetin e BE-së.

Këtë dilemë, ata janë munduar ta “zbusin” me një ide të tyre.

“Prandaj ne mbështesim integrimin e përshpejtuar të vendeve kandidate të përgatitura, në tregun e përbashkët dhe në zonën Schengen. Kjo do të mund t’u sillte qytetarëve përfitime të prekshme, duke forcuar njëkohësisht pozitën ekonomike dhe gjeopolitike të BE-së, pa e ngarkuar arkitekturën e saj vendimmarrëse dhe pa e ndryshuar balancën institucionale. Kjo nuk do të nënkuptonte as të drejta vetoje, as komisionerë shtesë, as deputetë të rinj në Parlamentin Evropian apo ndryshime në strukturat e votimit. Jemi të bindur se kjo do të zbuste shqetësimet e atyre shteteve anëtare që hezitojnë përballë një zgjerimi më të madh – edhe sepse do të ishte shumë më e lehtë për ta ta paraqesin procesin në mënyrë bindëse para opinionit të tyre publik”, thuhet në shkrimin e tyre.

Shqipëria është më afër BE-së se Serbia. Në vitin 2025 u hapën edhe kapitujt e fundit negociues për anëtarësim (33 në total).

Ndërkaq, Serbia në të kaluarën ka hapur 22 kapituj dhe ka vite të tëra pa hapur të reja. Mbetet larg anëtarësimit.

Shteti i fundit që hyri në BE është Kroacia, 13 vjet më parë.

Në qarqet e BE-së janë shtuar zërat që kërkojnë që anëtarët e rinj të mos kenë të drejtë të vetos, pas anëtarësimit.