Afati i koncentratit për pije që s’u lejua të hynte në Kosovë kishte skaduar para 5 muajsh

Koncentratit në sasi prej 21 mijë kilogramësh, importi i të cilit në Kosovë u ndalua të enjten, i kishte skaduar afati prej 5 muajsh.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Muharrem Shahini, në emisionin “tre8tre”.

“Ai ka qenë i skaduar, prej afërsish 5 muajsh, duke parë që ky produkt është cilësuar shumë i rrezikshëm për konsumim ne e kemi bërë ndalesën dhe nuk është bërë importi për në Kosovë”, është shprehur Shahini.

Të enjten AUV-ja ka njoftuar se vendimi për ndalim të importit të mbi 21 mijë kilogramëve koncentrat për pije është marrë për shkak se pas kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimit fizik të mallit nga Inspektorati Fitosanitar, është konstatuar se koncentrati për pije i eksportuar nga Holanda nuk kishte afat.