Polonia drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, parashikohen gjoba për platformat

Polonia po planifikon miratimin e një ligji të ri që do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç dhe do t’i bëjë platformat përgjegjëse për verifikimin e moshës së përdoruesve.

Ministrja e Arsimit, Barbara Nowacka, deklaroi në një intervistë për Bloomberg News se drafti përkatës do të paraqitet sot nga partia në pushtet, Civic Platform.

Sipas saj, projektligji parashikon gjoba për platformat që do të mbeten të aksesueshme për përdoruesit e mitur. Ajo shtoi se ligji mund të hyjë në fuqi deri në fillim të vitit 2027, ndërsa niveli i gjobave është ende në diskutim.

“Po shohim përkeqësim të shëndetit mendor te fëmijët dhe të rinjtë, si edhe rënie të aftësive të tyre njohëse”, u shpreh Nowacka, duke argumentuar nevojën për masa më të rrepta.

Një trend në rritje në Europë

Polonia nuk është e vetmja që po shqyrton kufizime të tilla. Qeveri të tjera europiane, përfshirë Danimarkën, Greqinë, Francën, Spanjën dhe Britaninë e Madhe, po analizojnë masa të ngjashme mes pretendimeve se rrjetet sociale mund të jenë të dëmshme ose krijuese varësie për të miturit.

Në janar, qeveria britanike njoftoi se po shqyrtonte kufizime të reja për mbrojtjen e fëmijëve në internet, pas miratimit të ligjeve të ngjashme në Australi në dhjetor.

Përplasje me gjigantët amerikanë të teknologjisë

Nisma e Varshavës pritet ta vendosë Poloninë përballë kompanive të mëdha amerikane të teknologjisë, si Meta Platforms dhe X në pronësi të Elon Musk.

Disa prej këtyre kompanive kanë kundërshtuar kufizime të ngjashme, sidomos pas ndalimit të vendosur nga Australia vitin e kaluar, duke argumentuar për vështirësi teknike dhe çështje që lidhen me privatësinë dhe lirinë e shprehjes.

© SYRI.net