Ali Ahmeti takon Johannes Hahn: Integrimi në BE, prioritet strategjik i pakontestueshëm

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim miqësor me ish Komisionarin Evropian për Buxhet dhe Administratë, njëherësh ish Komisionar për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn, ku në fokus të bisedës ka qenë procesi i integrimit evropian të vendit.

Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë strategjike të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si proces kyç për garantimin e stabilitetit afatgjatë, konsolidimin demokratik dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Ahmeti ka theksuar se rruga evropiane mbetet prioritet i pakontestueshëm dhe interes kombëtar, që kërkon përgjegjësi, unitet dhe vendosmëri politike nga të gjithë aktorët institucionalë dhe politikë në vend.

Në këtë kontekst, është nënvizuar rëndësia e zbatimit të plotë dhe konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit, si themel i bashkëjetesës dhe funksionimit demokratik të shtetit multietnik, në përputhje me standardet dhe vlerat evropiane.

Po ashtu, bashkëbiseduesit kanë ritheksuar nevojën për reforma të qëndrueshme dhe dialog politik konstruktiv, me qëllim forcimin e besimit mes komuniteteve dhe rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të vendit në procesin e integrimit evropian.