“Jam e tmerruar nga ato që kam mësuar për ta”/ Dëshmia e Hillary Clinton për dosjen ‘Epstein’ para Kongresit Amerikan: Të pyetet edhe Trump

Hillary Clinton ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë informacion mbi aktivitetet kriminale të Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell.

Ish-zonja e parë dhe ish-sekretarja e Shtetit u bëri thirrje ligjvënësve që të pyesin edhe presidentin Donald Trump lidhur me çështjen.

“Si çdo njeri i ndershëm, jam tmerruar nga ajo që kemi mësuar për krimet e tyre. Është e pakuptueshme që Epstein fillimisht mori një dënim kaq të lehtë në vitin 2008, gjë që i lejoi atij të vazhdonte praktikat e tij grabitqare edhe për një dekadë tjetër”, u shpreh Clinton.

Clinton po përballet me anëtarët e Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve në Chappaqua, Nju Jork, në kuadër të një dëshmie të shumëpritur.

Në deklaratën e saj, ajo akuzoi kryetarin republikan të panelit, James Comer, se e ka shënjestruar për arsye politike. Gjithashtu, ajo i bëri thirrje komisionit që të marrë në pyetje Trumpin, i cili në të kaluarën ka pasur marrëdhënie shoqërore me Epsteinin.

“Çfarë po fshihet? Kush po mbrohet? Dhe pse po bëhet kjo fshehje?”, tha ajo.

Nga ana e tij, Trump ka mohuar çdo shkelje apo përfshirje që lidhet me Epsteinin.

Dëshmia e Clinton po zhvillohet këtë të enjte, ndërsa bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Clinton, pritet të dëshmojë të premten, si pjesë e hetimit të Kongresit.