Qytetarët e Strugës kanë tre javë pa ujë për pije, pasi u ndot burimi furnizues në fshatin Shum, për shkak se afër rezervuarit një kompani po kryen punime.
Kryetari i Strugës, Mendi Qyra, thotë se problemi është i vjetër, por udhëheqësia paraprake e komunës e ka fshehur. Ai ka disa alternativa për zgjidhje.
“Sigurisht do të marrim masa tjera, unë si kryetar nuk mund të marr masa në mënyrë profesionale por do të marrim masa tjera mekanike që të shfrytëzojmë nga burimet e Belicës të cilët janë të pastra dhe shpresoi që do të ketë edhe restrikcione ose do të shohim që të punohet me orare që të ketë qytetarët për të pirë duke e ditur se pjesa dërmuese e qytetarëve përdorin ujë të blerë për fat të keq duke ditur që edhe vitet e kaluara uji për pije ka qenë jo I përshtatshëm për pije”, tha Mendi Qyrra – kryetar i komunës së Strugës.
Këto Qyra i tha në konferencën ku prezantoi punën e bërë në 100 ditët e para në krye të Komunës.
Opozitarja BDI e kritikoi duke thënë se janë “100 Ditë Zhgënjim: Struga pa ujë, pa projekte të reja dhe me shkelje e paqartësi”.
BDI – DEGA STRUGË:
-Ndërkohë, realiteti i qytetarëve është krejt tjetër. Për rreth 20 ditë, Struga mbeti pa ujë të pijshëm – një situatë alarmante dhe e paprecedentë në historinë e qytetit. Në vend të zgjidhjes së problemit, pamë arsyetime dhe tentativë për zhvendosje të përgjegjësisë. Edhe sot, situata me furnizimin me ujë mbetet shqetësuese dhe pa një plan të qartë afatgjatë”
Për problematikën kanë reaguar edhe nga Zyra Rajonale e Avokatit të Popullit nga ku thonë se nëse furnizimi me ujë nuk garanton ujë të sigurt për pije, shërbimi konsiderohet i mangët dhe qytetarët nuk duhet të paguajnë faturat deri në momentin e përdorimit të ujit për pije.
“Është e papranueshme që qytetarët të blejnë ujë të ambalazhuar me shpenzimet e tyre. Të përballen me rrezik potencial shëndetësor. Dhe njëkohësisht të paguajnë faturë të plotë për shërbim që nuk është funksional sipas qëllimit bazë”, theksoi Ylber Rufati-zëvendës i Avokatit të Popullit .
Kryetari i Strugës Qyra siguroi se qytetarët nuk do t’i paguajnë faturat e muajit shkurt.





