Reagon Bekim Qoku: Ne nuk kemi “Beqa” në Kuvend për të disiplinuar gazetarët

Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, i ka reaguar pronarit të gazetës Gazeta Koha, Lirim Dullovi, pas një replike publike lidhur me një postim të tij në rrjetet sociale.

Qoku thekson se çdo figurë publike duhet të jetë e gatshme të përballet me kritika, duke e konsideruar këtë si pjesë të natyrshme të jetës publike, sidomos në epokën e rrjeteve sociale ku opinioni përhapet me shpejtësi.

“Në emër të fjalës së lirë, gazetarët dhe zërat publikë kanë të drejtë të shprehin qëndrimet e tyre. Por liria e shprehjes ka edhe kufij etikë. Ajo nuk mund të shndërrohet në ofendim, përqeshje apo shpërfytyrim të qëllimshëm të figurës publike, sidomos kur kjo vjen nga pronarë mediash apo gazetarë që pretendojnë standard profesional”, shprehet ai.

Sipas Qokut, reagimi i Dullovit ka qenë kritik, madje ofendues, ndonëse në postimin e tij ai kishte shpërndarë vetëm një analizë të publikuar nga portali **Portalb**, pa e etiketuar fare gazetën “Koha”.

Ai nënvizon se, sipas të dhënave publike, “Koha” rezulton ndër përfitueset më të mëdha të mjeteve nga reklamat dhe shpalljet shtetërore. Qoku pretendon se vetëm gjatë vitit 2024 gazeta ka përfituar rreth 654 mijë euro nga buxheti i shtetit, ndërsa në vitin 2025 rreth 791 mijë euro për reklama dhe shpallje publike.

“Këto janë vetëm shifrat që dihen, që janë publike. Nuk dua të merrem me spekulime”, thekson ai, duke shtuar se nuk do të bie në “cinizëm e banalitet”, por do të qëndrojë në debat mbi faktet.

Në reagimin e tij, Qoku deklaron se deputetët e VLEN-it nuk besojnë në presion ndaj mediave, por në debat të lirë dhe transparent.

“Nëse dikush ka argumente, le t’i paraqesë me fakte. Sulmet personale nuk e zëvendësojnë dot debatin mbi paratë publike dhe mënyrën si shpërndahen ato”, përfundon reagimin e tij koordinatori i VLEN-it.