Gërvalla: Diskutimet denigruese të krerëve e ish-krerëve prokurorialë paraqesin rrezik serioz

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se reforma në sistemin prokurorial dhe në atë të drejtësisë në përgjithësi mbetet ndër top prioritetet e Kosovës. Ajo ka reaguar pas publikimit të audio-incizimit nga “Betimi për Drejtësi” të takimit mes U.D. Kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokurorët e prokurorive më 28 janar 2026.

Në audio-incizim dëgjohet biseda e u.d. Kryeprokurorit Agron Qalaj me kryeprokurorët e prokurorive lidhur me kritikat e Bashkimit Evropian për moszbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës. të përfshirë në diskutime ishin edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Shqipdon Fazliu, ish-Kryeprokurori i Shtetit, tani prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Gërvalla ka thënë se komentet e këtyre akterëve janë shqetësuese dhe se janë “pasqyrë e gjendjes në të cilën ende ndodhet sistemi prokurorial”.

“Gjuha dhe diskutimet denigruese të krerëve dhe ish-krerëve të sistemit prokurorial, kundërshtimi dhe rezistenca e tyre e vazhdueshme ndaj reformave dhe mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre, paraqesin rrezik serioz dhe cenojnë rëndë integritetin dhe funksionimin profesional të sistemit prokurorial”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gërvalla ka dënuar gjuhën e prokurorëve derisa ka kërkuar zbatim të reformave dhe ndryshimeve ligjore në fuqi.

“Dënojmë ashpër gjuhën e tillë denigruese e cila është në kundërshtim me etikën dhe standardet profesionale të prokurorit, por gjithashtu, kërkojmë zbatimin e reformave dhe ndryshimeve ligjore tashmë në fuqi, për t’i dhënë sistemit prokurorial profesionalizmin, llogaridhënien dhe efikasitetin e munguar”, përfundoi ajo.