Policia aksion në Tetovë e Gostivar: Sekuestrohen 3 makina dhe arrestohen shoferët pa leje

Gjatë pasdites dhe mbrëmjes së djeshme (23.02.2026), zyrtarët policorë të SPB Tetovë dhe Gostivar kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh intensive në trafik, të cilat kanë përfunduar me pranga dhe sekuestrim mjetesh.

​Së pari, në orën 16:20 në rrugën “JNA” në Tetovë, policia ka ndaluar një 19-vjeçar me iniciale N.E., i cili po drejtonte një automjet “Opel”. Pas verifikimit, rezultoi se i riu nuk kishte dhënë kurrë provimin për patentë shoferi, duke bërë që makina t’i sekuestrohej menjëherë.

​Aksioni ka vijuar në fshatin Banjicë e Epërme të Gostivarit rreth orës 19:30, ku është vënë në pranga 24-vjeçari L.SH. nga fshati Zhelinë. Ai po drejtonte një “Volkswagen Golf” me targa të Tetovës po ashtu pa leje drejtimi, çka çoi në konfiskimin e mjetit nga ana e forcave të rendit.
​Gjithashtu, në orën 21:00, në pikën e pagesës rrugore (autostrada Tetovë-Gostivar), është ndaluar një 48-vjeçar nga Vevçani me iniciale B.M. Edhe pse ai kishte patentë, rezultoi se po drejtonte mjetin “Citroen Berlingo” pavarësisht se kishte një ndalesë aktive për drejtimin e mjeteve të kategorisë B. Policia ia ka sekuestruar automjetin dhe ndaj të tre personave do të ngrihen padi përkatëse sapo të dokumentohen plotësisht rastet.