Universiteti i Tetovës ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së ish-rektorit Ramiz Abdyli. Në një telegram ngushëllimi, rektori i UT-së Jusuf Zejneli, thotë se kontributi i Abdylit ishte jetik në themelimin, konsolidimin dhe funksionimin e UT-së.
“Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Ramiz Abdylit, ish-Rektorit të Universitetit të Tetovës. Si shumë intelektualë të shquar shqiptarë, të cilët ideal të jetës së tyre e kishin përparimin e kombit dhe avancimin e proceseve në të gjitha viset shqiptare, edhe emri i profesor Ramiz Abdylit do të zërë vend të merituar në historinë dhe kujtesën tonë kombëtare”.
“Kontributi i tij ishte jetik në themelimin, konsolidimin dhe funksionimin e Universitetit të Tetovës. Veprimtaria dhe përkushtimi i tij do të mbeten udhërrëfyes i qartë se si një intelektual angazhohet me dinjitet e përgjegjësi për realizimin e objektivave madhore kombëtare”.
“Në emrin tim personal dhe të institucionit që drejtoj, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së respektuar Abdyli, miqve, kolegëve dhe mbarë opinionit publik. I përjetshëm qoftë kujtimi për intelektualin e urtë, profesor Ramiz Abdylin!”, thuhet në telegramin e UT-së.





